Lajme

Ali Ahmeti viziton sot Gjakovën, me vete e ka krejt BDI-në


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Ali Ahmeti, këtë të shtune do ta vizitojë Komunën e Gjakovës.

Me Ahmetin, në këtë vizitë do të jenë edhe zyrtarë të lartë të partisë e ministra të kabinetit qeveritar të Maqedonisë e Veriut.

Në Gjakovë, ata do ta vizitojnë fabrikën “Comodita”.

Pjesë e vizitës do të jenë Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri Artan Grubi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Kjo vizitë e Ahmetit dhe zyrtarëve të partisë së tij, vjen pak javë pas vizitës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë qëndrimit të Kurtit atje, nuk kishte takuar asnjë zyrtarë qeveritarë, as nga radhët e maqedonasve, por as nga ata shqiptarë, të cilët udhëheqin me një numër të konsiderueshëm ministrish, përfshirë atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Çairi dhe Tetova – dy komuna me shumicë shqiptare – kishin qenë vendet që kryeministri kosovar kishte qëndruar.

Atje, ai kishte takuar kryetarët e këtyre dy komunave, respektivisht Visar Ganiun dhe Bilall Kasami.

Ai kishte preferuar që të mos i takonte dy krerët e partive më të mëdha shqiptare – Ali Ahmetin e BDI-së dhe Arben Tarvarin e Aleancës për Shqiptarët.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, lideri i Alternativës, Afrim Gashi dhe udhëheqësi i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti – opozita shqiptare në Maqedoni të Veriut – kishin qenë ata që Kurti i kishte takuar.

Por, nga shumë kush, refuzimi për t’i takuar dy partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni të Veriut, të cilat janë pjesë e rëndësishme e funksionimit të ekzekutivit maqedonas, ishte konsideruar si përçarje e faktorit politik shqiptar atje.

Pamje gjatë koncertit që ishte organizuar në Tetovë për nder të vizitës së Kurtit.

Mirëpo, përkundër se vizita e Kurtit ishte konsideruar si “gabim historik” , BDI-ja dhe ASH-ja janë treguar tejet të kujdesshme në reagimet e tyre për këtë çështje.

Në një intervistë për Albanian Post, Kryetari i Aleancës Shqiptare, Arben Taravari, kishte thënë se është herët të bisedohet për motivet dhe efektin e shkaktuar nga kjo vizitë.

Kryetari aktual i Gostivarit dhe udhëheqësi i partisë që aktualisht si e vetme ka tetë deputetë, deklaronte se “historia nuk shkruhet kurrë kaq herët” dhe se “duhet patjetër faktori kohë”, porse “nuk dua të besoj dhe as nuk e besoj që Kurti ka pasur në plan ndonjë skenar anti-qeveritar, apo anti-shqiptar”.

“Të flasësh për të (vizitën e Kurtit) duhet patjetër faktori kohë. Gjithsesi besoj se nuk duhet dramatizuar dhe duhet kuptuar që në shumë raste euforitë njerëzore dalin jashtë parashikimeve protokollare. Ka disa raste kur emocioni zotëron arsyen, sigurisht është një rast nga ku duhen nxjerrë leksione, por nuk mendoj se ka ndonjë bazë racionale kjo punë”, tha Taravari.

Ai refuzonte të vazhdonte tutje bisedën për vizitën, sepse donte që të tregohej i kujdesshëm për shkak të kontekstit aktual.

“S’dua ta besoj dhe s’e besoj se Kurti pati skenar anti-shqiptar me vizitën në Maqedoninë e Veriut” – Intervistë e Arben Taravarit për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore