Aplikacione

Algoritmi i Twitter-it favorizon përmbajtjen me prirje të djathtë


Një hulumtim i fundit ka zbuluar se platforma Twitter përforcon postimet e bëra nga partitë politike dhe mediat me prirje të djathtë më shumë sesa nga e majta.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se Twitter-i e ka bërë zbulimin duke eksploruar sesi algoritmi i tij rekomandon përmbajtje politike për përdoruesit.

Megjithatë, e ka pranuar se nuk e dinte pse, duke thënë se ishte një “pyetje e vështirë për t’u përgjigjur”.

Edhe më parë, Twitter-i është përballur me pretendime për paragjykim anti-konservator në platformën e vet.

Lidhur me studimin, ai shqyrtoi tweet-et nga partitë politike dhe përdoruesit që shpërndanin përmbajtje nga mediat në shtatë vende të botës: Kanada, Francë, Gjermani, Japoni, Spanjë, Mbretëri e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu, analizoi miliona tweet-e të dërguara midis 1 prillit dhe 15 gushtit të vitit 2020.

Më tej, hulumtuesit përdorën të dhënat për të parë se cilat tweet-e janë përforcuar më shumë në një burim të porositur në mënyrë algoritmike krahasuar me një burim kronologjik të kundërt.

Nga të dhënat, nxorën se partitë kryesore dhe mediat e së djathtës gëzonin nivele më të larta të “përforcimit algoritmik” krahasuar me homologët e tyre të së majtës.

Rumman Chowdhury, drejtuese e ekipit të Meta të Twitter-it, ka thënë se hapi tjetër i kompanisë ishte të zbulonte arsyen pas këtij fenomeni.

“Në gjashtë nga shtatë vende, tweet-et e postuara nga zyrtarë të zgjedhur nga e djathta përforcohen algoritmikisht më shumë se ata nga e majta. Mediat e lajmeve me prirjen e djathtë…shohin përforcim më të madh në krahasim me të majtën”, ka zbuluar ajo.

Gjithashtu ka shtuar se “përcaktimi se pse ndodhin këto modele të vëzhguara është një pyetje dukshëm më e vështirë për t’iu përgjigjur dhe diçka që Meta do ta shqyrtojë”.

Referuar “BBC”, studiuesit dalluan se ndryshimi në përforcim mund të jetë për shkak të “strategjive të ndryshme” të përdorura nga partitë politike për të arritur audiencën në platformë.

Dhe se gjetjet nuk sugjeronin se algoritmet shtynin “ideologjitë ekstreme më shumë se zërat e zakonshëm politikë”, një tjetër shqetësim i përbashkët i shprehur nga kritikët e Twitter-it.

Nga ana tjetër, kjo nuk është hera e parë që platforma ka nxjerrë në pah paragjykimet e dukshme në algoritmin e vet.

Në prill, platforma zbuloi se po kryente një studim për të përcaktuar nëse algoritmet kontribuan në “dëmtime të paqëllimshme”.

Kurse në maj, kompania zbuloi se prerja automatike e imazheve kishte probleme themelore që favorizonin individët e bardhë mbi personat me ngjyrë dhe gratë mbi burrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore