Shqipëria

Alfred Rushaj zyrtarizon dorëzimin e mandatit të deputetit


Alfred Rushaj ka dorëzuar zyrtarisht mandatin e deputetit që mbante nën siglën e Partisë Demokratike.

Ish-deputeti demokrat dorëzoi të mërkurën e 9 nëntorit një shkresë në Kuvend duke zyrtarizuar dorëheqjen nga ky mandat.

Argumentimi që ai dha mbi këtë vendimmarrje janë arsyet personale, duke mos bërë publike detaje të tjera.

Rushaj, me fillimin e sesionit paraardhës parlamentar, ishte ndër zërat kryesorë brenda PD-së.

Kjo, pasi u zgjodh nga ish-kryetari, Lulzim Basha, si kreu i Grupit Parlamentar demokrat.

Ai këtë post e mbajti për disa muaj, derisa me fillimin e konfliktimit të brendshëm mes Sali Berishës dhe Bashës në selinë blu, Rushaj bëri një hap prapa dhe u tërhoq nga pozita.

Më pas, ai ka qëndruar thuajse në heshtje për të gjitha zhvillimet e forcës së djathtë politike dhe debatet parlamentare.

Deputeti që pritet të marrë mandatin e tij, sipas listës së PD-së, është Petrit Doda, i cili mbante numrin 32 në listën e Tiranës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore