Sport

Alexander Isak ose Kevin Durant i futbollit, tërheq edhe një herë vëmendjen e Evropës


Shumica e klubeve që janë jashtë rrezes së dyshes, Kylian Mbappe – Erling Haaland, kanë një nëngrup shumë interesant me lojtarë të rinj dhe të fortë që ndjekin.

Ky nëngrup përbehet nga tre emra. Dusan Vlahovic-i , Jonathan David-i i Lille-s dhe Alexander Isak-u i Real Sociedad-it. Të tre nën 23-vjeç. Vlahovic-i ishte i pari që u bëri hapin e madh në karrierë pasi kaloi te Juventus-i.

Por, si u bë Isak-u pjesë e kësaj liste?

Përgjigja është shumë e thjeshtë. Ish-lojtari i Borussia Dortmund-it, duke filluar nga sezoni 2019/20, ka arritur të shënoi 40 gola. Asnjë prej tyre nga pika e bardhë e 11 metërshit.

Më mirë se ai, kanë bërë vetëm Mbappe dhe Haaland-i. Por, në dallim, të dy këta sulmues luajnë me skuadra më të forta se Real Sociedad-i.

Isak-u ka mesatare shënimi më të mirë se Vlahovic-i dhe David-i. Suedezi shënon 0.54 gola për çdo 90 minuta. Serbi ka një mesatare 0.47 dhe kanadezi 0.45.

Përveçse shënimit të golave, suedezi shquhet për aftësinë për të tribluar dhe koordinimin me topin.

Shumëkush, kur shikon Isak-un duke tribluar, e krahason menjëherë me Kevin Durant-in e NBA-së. Një kombinim i rrallë i dobësisë fizike me aftësi teknike të jashtëzakonshme, që zakonisht është “ekskluzive” për lojtarët shtatshkurtër.

Suedezi ka mesatarisht 13.2 tentativa për çdo 100 prekje topi në La Liga këtë sezon. Shkalla më e lartë e çdo sulmuesi që ka luajtur 500 minuta në këtë kompeticion. Duke u renditur gjithashtu në mesin e 100 lojtarëve në pesë ligat kryesore të Evropës.

“Trajneri dëshiron që unë të jem një sulmues modern, të pres shumë dhe të punoj shumë pa topin, dhe më pas, pasi ta kemi atë, nuk ka kufij”, tha Isak në një intervistë për “Independent” vitin e kaluar.

“Njerëzit do të numërojnë gjithmonë golat, unë dua të shënoj, por dua të jem një sulmues modern. Më pëlqen të luaj futboll dhe kjo do të thotë të përfshihem sa më shumë që të jetë e mundur”, shtoi ai.

Stili i lojës së Isak-ut shumë njerëzve u risjell në vëmendje, stilin e legjendës franceze, Thierry Henry. I cili “pushtoi” Premier League-n në vitet 2000.

Isak-u është i aftë të “paralizojë” çdo mbrojtës, edhe ata më të shpejtët. Ai ka veprime të tijat klasike, që nëse i gjen kundërshtarët të paorganizuar në prapavijë, atëherë kërcënimi është mëse serioz.

Mes sulmuesve që kanë luajtur të paktën 3 mijë minuta, që nga fillimi i sezonit 2019/20, ai është në top 10 më të mirët për depërtime brenda zonës, 13.1. Suedezi është një nga lojtarët më efikas në lëvizjet me topin te Real Sociedad-i.

Edhe pse 1.92 centimetër i gjatë, 22-vjeçari nuk i ka pikën e tij të fortë gjuajtjet me kokë, apo duelet ajrore. Ai ka fituar vetëm 37% të dueleve në ajër.

Nëse do të kishte një skuadër ku ai do të shkonte për shtat do të ishte Borussia Dortmund-i. Ai mund të jetë zëvendësuesi ideal i Erling Haaland-it. Verdhezinjtë e morën në 2017 nga suedezët e AIK-ut për 8.6 milionë euro, para se ta shisnin te Sociedad-i për 15 milionë euro.

Edhe Premier League do të ishte një opsion ideal për 22-vjeçarin. Bashkimi me Martin Odegaard-in te Arsenal-i, si dhe me talentet e tjerë të “topçinjëve” do të ishte shumë tërheqës.

Nën vëzhgim ai është mbajtur edhe nga Manchester City. Pep Guardiola kërkon zëvendësuesin e Sergio Aguero-s dhe Isak-u mund të jetë i duhuri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore