Kosova

Albin Kurti para votimit kryeministër: “Asnjë fëmijë i uritur, asnjë fëmijë i varfër”


“Asnjë fëmijë i uritur”, “as në familjet e varfra nuk do të ketë fëmijë të varfër”, ka thënë Albin Kurti në ekspozenë e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në ekspozenë e tij si i mandatuar për kryeministër.

“Për fëmijët deri 2 vjeç do të ndahen 20 euro në muaj, kurse nga 2 vjeç deri në 16 nga 10 euro në muaj”, ka thënë ai.

Ai ka premtuar edhe rimbursim për familjet me më pak të ardhura.

“Një familje më me pak se 7 mijë euro në vit do të marrë 50 euro rimbursim. Më pak se 6000 euro në vit do t’i ndahen 100 euro, familjet me më pak se 5 mijë do t’i ndahen 150 euro”, tha Kurti.

Ai premtoi mbështetje edhe për nënat lehona.

“Për nëna lehona për 6 muaj do të ndahen nga 250 euro”, tha Kurti.

“E paarritshmja, realitet”,  ishte një nga frazat e Kurtit, duke përshkruar kështu momentin kur pritet të votohet qeveria e re.

Ai ka folur në terme të përgjithshëm edhe për pjesë të tjera të programit të tij.

Ka përmendur pandeminë si urgjencë dhe detyrë e menjëhershme e qeverisë së tij.

Një pjesë të konsiderueshme është ndaluar edhe tek ekonomia.

Për bujqësinë gjithashtu ka premtuar rritje të subvencioneve.

Fuqizimi i grave dhe kultura më pas kanë qenë çështjet të cilat Kurti tha se i kanë prioritet.

Ai ka thënë gjithashtu se do ta padisin shtetin e Serbisë për krimet e luftës së fundit në Kosovë.

Aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka quajtur “jetike”, derisa më pas ka folur edhe për rëndësinë e dialogut me Serbinë.

Ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin, ndryshe “nuk mund të ketë normalitet të raporteve mes dy vendeve”.

“Le të normalizohet Serbia dhe ta shpallë edhe ajo pavarësinë e saj nga Kosova, siç e kemi shpallur ne pavarësinë nga Seria”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore