Lajme

Albin Kurti e pranon se u bë koncesion në Bruksel, “por ishte dobia e madhe”


Albin Kurti ne Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja për çështjen e targave është koncesion i Kosovës, por që ka prevaluar dobia e marrëveshjes mbi koncesionin, që në peshoren e tij rëndon më pak.

“Është e vërtetë që po bëhet fjalë për një pjesë të vendit tonë për veriun, por po bëhet po ashtu fjalë për një pjesë të Serbisë, për qendrën e regjistrimit të automjeteve në Rashkë. A është koncesion? Po, mund të shihet edhe si koncesion”, pohoi Kurti në Kuvendin e Kosovës derisa arsyetonte marrëveshjen.

“Por unë besoj që dobia ka qenë shumë e madhe dhe nuk kemi cenuar kurrfarë substance. Për besë nuk kemi cenuar kurrfarë substance në vendin tonë”, shtoi Kurti.

Kurti: Dokumenti e të mërkurës i ka pasur 194 fjalë, i të hënës vetëm 95 fjalë – kjo është arritje e madhe

Ndërsa, për të gjithë ata që kanë menduar se Marrëveshja për de-eskalim e arritur në Bruksel të cilën e pranoi Kosova, është e njëjtë me atë të së hënës të cilën e refuzoi, Kurti ka lajmë të tjera.

Ai, nuk i referohet si marrëveshje fillimisht, por si dokument.

“Paragrafi i parë i marrëveshjes që u arri të hënën nuk ka qenë, kjo është një arritje e madhe”, deklaroi ai në sallën e Kuvendit të Kosovës, derisa shpjegoi “dallimet esneciale”.

“Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument që i ka pasur 95 fjalë dhe fjala Francë dhe Gjermani s’kanë qenë askund. Dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman, përveç çështjes së targave. Nuk thuhej propozimi, por vetëm do zgjidhet çështja e targave. Kurse kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë”, tha kryeministri.

Prandaj, “ata që thonë ajo që nuk është pranuar të hënën është pranuara të mërkurën, nuk e dinë se për çfarë po flasin”.

“Dhe nuk është marrëveshje, është dakordim por jo marrëveshje. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne s’kemi ndryshuar qëndrim, Borrell e ka ndryshuar deklaratën”.

Prandaj, “nuk është marrëveshje për tarat, veç u dakorduam të ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke”.

Kurti u është përgjigjur edhe akuzave të atyre që thonë se Kosova po i pranon marrëveshjet paraprake, rrjedhimisht edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne kemi pranuar që marrëveshjet e Brukselit janë element i fushë-veprimit të planit franko- gjerman në tërësinë dhe ambiguitetin e tyre bashkërisht. Dakordimi ynë është një njohje të pozicionit evropian e jo qëndrim ndaj diçkaje tjetër”, pohoi Kurti, derisa fajësoi – përsëri – qeveritë e kaluara.

“Ne nuk pajtohemi me të kaluarën, por trashëgimia e qeverive të kaluara është shndërruar në pozicion zyrtar të vetë Bashkimit Evropian. Pra, trashëgimia e marrëveshjeve është pozicion i Bashkimit Evropian”.

Krejt në fund, pasi i akuzoi për trashëgiminë e rëndë, Kurti u kërkoi bashkëpunim opozitës.

“Na kemi nevojë për mbështetjen e juaj. Kemi nevojë për diskutim. Jam i gatshëm ta bëj. Për shkak se nuk dua të eci vetëm, është përtej cilitdo prej neve, përtej këtij mandati qeverisës”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore