Lajme

Albert Zogaj, zyrtarisht kryetar i Këshillit Gjyqësor


Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj

Është mbajtur ceremonia për pranim-dorëzimit të detyrës së Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ndërmjet ish-kryesuesit, Skender Çoçaj dhe kryesuesit të ri Albert Zogaj.

Çoçaj gjatë dorëzimit të detyrës, i ka uruar suksese kryesuesit të ri, Albert Zogaj, i cili pas marrjes së detyrës ka thënë se do të avancojë edhe më tej misionin e Këshillit dhe do të jetë në shërbim të plotë të fuqizimit dhe zbatimit të ligjit në Kosovë si dhe “në mënyrë të vazhdueshme do të matet performanca e gjyqtarëve”.

“Zotohem se do të përcjellë me angazhim maksimal të gjitha iniciativat që janë në zhvillim e sipër si dhe iniciativat tjera të cilat janë në dobi të sistemit gjyqësor”, ka thënë Zogaj.

I pyetur se cili do të jetë ndryshimi i parë për të cilin do të angazhohet, Zogaj ka thënë se “shumë shpejt do të kemi edhe rregulloren për normat e gjyqtarëve, gjë që do te ketë impakt të rëndësishëm në cilësinë e punës së gjyqësorit”.

Sipas tij, Këshilli Gjyqësor do të ketë një intensifikim të komunikimit me të gjitha mekanizmat e brendshëm të Këshillit por edhe me kryetarët e gjykatave për të adresuar në mënyrë adekuate çdo sfidë me të cilën përballen secila gjykatë në mënyrë specifike.

Në anën tjetër, Zogaj ka theksuar se do të ruhet pavarësia e sistemi gjyqësor.

“Ne po mendojmë që të ardhmen të kemi plotësimin e kushteve, do të kemi edhe një proces të rishikimit të brendshëm të krejt akteve normative, ku një prej kompenentave më të rëndësishme do të jetë edhe llogaridhënia e administratës gjyqësore. Duhet të ruhet pavarësia e sistemit gjyqësor dhe cdo mekanizëm do të monitorohet nga Këshilli Gjyqësor, ne nuk jemi kundër asnjë mekanizëm të jashtëm”, ka thënë ai.

“Çdo mekanizëm i ndërtuar në Kosovë që ka të bëjë me vlerësimin e pasurisë së gjyqtarëve të lartë publik, jemi pro por jo veçanarësisht për gjyqësorin”, shtoi Zogaj.

Sa i përket procesit të Vettingut, ai ka thënë se çështja e vettingut nuk është përgjigje e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor, i cili sipas tij “mbanë qëndrimet që realisht mbanë sistemi gjyqësor karshi këtij procesi të rëndësishëm”.

Zogaj këtë pozitë do ta ushtrojë me një mandat prej tre vjetësh. Ai është gjyqtar në Gjykatën Supreme, Dega Civile.

Gjyqtari Zogaj ka diplomuar në vitin 2004, në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet post-diplomike i ka përfunduar në vitin 2008, në Drejtimin Juridiko-Civil.

Për një vit (2004-2005), ka punuar si avokat-praktikat në Odën e Avokatëve të Kosovës. Në vitin 2006 ka përfunduar provimin e jurisprudencës, ndërsa nga viti 2006 deri më 2010, ai punoi si avokat në qytetin e Pejës.

Në fund të vitit 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku ka punuar për dy vite.

Nga viti 2013 deri më 2015, punoi si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm. Në vitit 2015 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Në shtator të vitit 2020, Zogaj është zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Supreme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore