Lajme

Alarm në Gjermani: Një grup prej 500 huliganësh serbë planifikon të shkaktojë trazira në Euro 2024


Ilustrim

Policia e Gjermanisë beson se një grup prej 500 huliganësh serbë planikifon të shkaktojë dhunë në ndeshjen e parë midis Anglisë dhe Serbisë në kuadër të kampionatit evropian të “Euro 2024” të dielën në mbrëmje.

Peter Both, shef i policisë në Gelsenkirchen, deklaroi për prestigjozen britanike “The Guardian” se planifikojnë të identifikojnë grupin e huliganëve para se ata të përleshen me tifozët e Anglisë në qytetin gjerman.

“Unë mendoj se sfida më e madhe për ne do të jetë identifikimi i grupeve të dhunshme – përçarëse – në një fazë të hershme, për t’i ndarë ata nga tifozët paqësorë që i binden ligjit, kjo do të jetë sfida jonë më e madhe”, theksoi Both, ndërsa raportohet se rreth 40,000 tifozë anglezë pritet të udhëtojnë për të parë ndeshjen, përkatësisht rreth 5,000 deri në 8,000 tifozë serbë.

E rreth 1,000 policë gjermanë do të jenë në krye të detyrës të dielën në qytetin verior, ku ndodhet stadiumi “Veltins-Arena” që numëron rreth 60.000 ulëse, ndërsa Both sugjeroi se koordinimi me policinë serbe nuk është në nivel, posaçërisht sa i përket shkëmbimit të informacioneve rreth huliganëve.

Tifozët e Anglisë janë paralajmëruar se mund të jenë në shënjestër të huliganëve famëkeq serbë, të cilët janë të njohur për shkaktimin e trazirave. Ndeshja e Anglisë kundër Serbisë është kategorizuar si një nga katër ndeshjet me “rrezik të lartë” në fazën e grupeve të “Euro 2024” këtë sezon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore