Sport

Al Khelaifi ‘kërcënon’ Parisin


Credit Photo - Icon Sport

Në një intervistë për francezen “L’Equipe”, presidenti i PSG-së, Nasser Al Khelaifi deklaroi se nëse Këshilli i Qytetit të Parisit nuk e pranon ofertën e tij, ata do të largohen nga “Parc des Princes”.

Al-Khelaifi ka vendosur të nisë një skenë ekspansioniste për PSG-në, rastësisht ose jo, vetëm pas Kupës së Botës në Katar.

Presidenti i skuadrës parisiene do të hapë derën për investitorët e rinj, do të inaugurojë një qytet sportiv vitin e ardhshëm dhe synon të largohet nga “Parc des Princes”.

Për “L’Equipe”, ai tha se i ka komunikuar Këshillit Bashkiak se do të largohet nga stadiumi aktual i klubit nëse ata nuk e pranojnë ofertën e tij të fundit për blerje.

“Ne jemi përpjekur të blejmë ‘Parc des Princes’ për pesë vjet. Këshilli Bashkiak na ka thënë gjithmonë se do të negociohej pas emërimit të kryetarit të ri, pas presidentit… Pesë vite janë humbur. Mund të kishim ndërtuar një stadium të ri”, tha Al Khelaifi.

“Shikoni klubet e tjera. Nuk e di sa marrëveshje na duhen që të mund ta zgjerojmë. Ne nuk po përparojmë në negociata. Unë do t’u them atyre se do të largohemi nëse ata nuk duan të pranojnë ofertën tone”.

“Ne nuk kërcënojmë. Ne do t’i shtrëngojmë duart dhe do t’u themi lamtumirë. ‘Parc des Princes’ nuk do të ketë asnjë vlerë pa PSG-në”, theksoi presidenti i PSG-së.

Photo: LP/Philippe de Poulpiquet

Ai kishte fjalë edhe për Emmanuel Gregoire, pjesë në Këshillin Bashkiak, i cili tha se “Parc des Princes” nuk mund të vlejë njësoj si Leandro Paredes, pra 40 milionë euro.

“Ai flet shumë. Një gjë na thotë në fytyrë dhe më vonë në gazetë thotë të tjerat. Kjo nuk është e pranueshme. Nëse ka ndonjë problem, diskutohet ballë për ballë. Nëse kam një mesazh, ia them drejtpërdrejtë”, shtoi Al Khelaifi.

Nëse PSG merr 100% të stadiumit, do t’i përkasë klubit dhe jo Katarit, diçka që këshilli i qytetit i frikësohet.

“Sigurisht që do të na takojë neve. Ne investojmë te PSG dhe klubi është francez, apo jo? Nuk është një klub i Katarit”, tha kreu i PSG-së.

“Lojtarët luajnë në Francë. A thua që Chelsea është një klub amerikan? I kemi rritur vlerën kampionatit, qytetit, apo jo?”.

“Sigurisht. Duhet të rrisë të ardhurat dhe vlerën e klubit. Me apo pa stadium nuk është njësoj. Më vonë, dëgjova këshillin e qytetit të thoshte ‘Naseri po luan me ne’”, përfundoi Al Khealifi.

Tamim bin Hamad Al Thani, Emiri i Katarit, zotëron Paris Saint-Germain përmes aksionerëve të Qatar Sports Investments (QSI, drejtues i së cilit është Nasser Al Khelaifi), i cili e bleu klubin në 2011.

Marrja e bëri PSG-në klubin më të pasur në Francë dhe një nga më të pasurit në botë. Parisi aktualisht ka të ardhurat e gjashta më të larta në botën e futbollit, me të ardhura vjetore prej 556 milionë euro sipas “Deloitte”, dhe është klubi i shtatë më i vlefshëm i futbollit në botë, me vlerë 3.2 miliardë dollarë sipas “Forbes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore