Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas akuzave të deputetit demokrat, Agron Shehaj, se ndaj biznesit të tij u organizua një sulm policor i orkestruar politikisht.
Rama sqaron se, ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT-ja me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit.
“Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel”.
Sipas tij, duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe “t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka”.
Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!
— Edi Rama (@ediramaal) October 20, 2022
Shehaj e nisi akuzën e tij në Kuvend, por iu ndërpre fjala.
Kjo pasi nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj dhe Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, thanë se nuk duhet të përdorë seancën plenare për të reklamuar bizneset e tij.
Më pas deputeti publikoi disa foto, ku duket se biznesi i tij është rrethuar me shiritët e policisë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com