Sport

Akuza dhe kundërakuza, FSHF dhe Bashkia e Tiranës në ‘sulm’ ndaj njëra-tjetrës


E hëna e 24 janarit ka qenë e mbushur me akuza dhe kundërakuza mes Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

Përplasja mes dy institucioneve ka ditë që ka nisur, por dy ditët të fundit do të ishin kulmimi i kësaj përplasje verbale.

Të dielën e 23 janarit, Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit Tirana, ka kërkuar hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për kreun e FSHF-së, Armand Duka.

Sipas asaj që u tha në media, Bashkia ka përgatitur një dosje voluminoze mbi të gjithë veprimtarinë e jashtëligjshme, apo shkeljeve që ka kryer Duka përgjatë dy dekadave në krye të FSHF-së.

Dosje e cila do u kalojë instancave përkatëse si: Prokurorisë së Posaçme SPAK, asaj të Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, Hetimit Tatimor, FBI-së, DEA-së apo edhe dy ambasadave, asaj të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Shqipëri.

Këtë të hënë, ka qenë Prokuroria e Tiranës, ajo që ka njoftuar nisjen e procesit hetimor ndaj Dukës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Pas këtij veprimi të Prokurorisë së Tiranës do të ishte FSHF-ja, ajo që do të reagonte, kundër kryebashkiakut të kryeqytetit, Erion Veliaj.

Andi Verçani, Shefi i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në FSHF, mbajti një deklaratë për mediat në ambientet e federatës.

Fokusi i kësaj deklarate ishte një audio-përgjim i Veliajt me anëtarët e Shoqatës së Futbollit të Tiranës. Në të, kryebashkiaku fliste kundër Dukës dhe kërkonte që të kishte nën kontroll futbollin.

Veliaj pohonte se “kishte nisur një ‘luftë’ me Dukën dhe FSHF-në, që askush nuk mund ta ndalonte”. Gjithashtu, ai u kërkonte anëtarëve të Shoqatës së Tiranës që të mbështesnin kandidatin për kryetar të kësaj shoqate, Eduard Prodanin.

Gara për të zgjedhur kryetarin e Shoqatës së Tiranës mbahet po këtë të hënë të 24 janarit, duke filluar nga ora 15:00. Prodani, ish-sekretar i përgjithshëm i FSHF-së ka përballë, Krenar Alimehmeti, ish-drejtorin sportiv të Klubit të Futbollit Tirana.

FSHF-ja ka shkuar më tej, duke lajmëruar se do të ndjek edhe hapa ligjor mbi këtë çështje.

Pas publikimit të këtij audio-përgjimi, nuk ka vonuar as përgjigjja e Veliajt. Kryebashkiaku ka thënë se “i qëndron çdo fjale që ka thënë në atë audio-përgjim 30 minutësh”.

Por, njëkohësisht ka shtuar se FSHF-ja është tërësisht e angazhuar për të shantazhuar për llogari të beut të saj. Siç ai cilëson Dukën.

Theksi i Veliajt ka qenë që, institucioni që ai drejton është aksioner i klubit të Tiranës dhe kjo gjë nuk mund të ngatërrohet me përkatësinë e tij politike në Partinë Socialiste. Në krahun tjetër, Duka është mbështetës i hapur i të djathtës.

Duke hequr pretendimet politike në këtë çështje, Veliaj tha se “pavarësia e federatës nuk mund të përdoret si një gjethe fiku për një mbret lakuriq”.

Tensionet mes Bashkisë dhe FSHF-së duket se kanë arritur kulmin mes tyre. Akuzat dhe kundërakuzat vazhdojnë dhe pritet të vazhdojnë, së paku deri më 2 mars. Datë në të cilën është programuar për t’u mbajtur procesi zgjedhor për kreun e ri të FSHF-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore