Shqipëria

AKU gjobit 8 biznese për përdorimin e vajit të palmës, konservantëve dhe niseshtesë


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka gjobitur tetë biznese që tregtonin ushqim të pasigurt për përdorimin e vajit të palmës, konservantëve dhe niseshtesë.

‘Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë ushtruar 21 inspektime dhe monitorime gjatë muajit shkurt në rang vendi, në subjekte me aktivitet import, shpërndarje me shumicë të produkteve ushqimore konkretisht (vaj palme, niseshte, konservantë dhe aditivë ushqimorë)”.

Po ashtu ka ushtruar inspektime dhe monitorime në subjekte me aktivitet “Prodhim, përpunim qumështi dhe nënprodukteve të tij”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 21 subjekte, në tetë prej këtyre subjekteve është konstatuar tregtim i ushqimit të pasigurt, në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, mungesë etiketimi dhe mosrealizim detyrash të lëna.

Trupat inspektuese të AKU-së, për shkeljet e konstatuara vendosën 11 masa admnistrative me gjobë në vlerën e 1 milion e 700 mijë lekëve, si dhe janë vendosur dy masa bllokimi në sasinë e 330 kilogramëve të produkteve ushqimore të pasigurta për konsum.

AKU-ja sakaq vijon kontrollet pandërprerë në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore