Lajme

Aktivistët bëjnë thirrje që BE-ja të taksojë industrinë e peshkimit për të financuar dekarbonizimin


Bashkimi Evropian ka dhënë deri në 15.7 miliardë euro subvencione për karburantet fosile për industrinë e peshkimit gjatë dekadës së fundit.

Mirëpo, aktivistët po bëjnë thirrje që ato fonde të ridrejtohen drejt dekarbonizimit.

Përjashtimet nga taksat e karburantit për industrinë e peshkimit kursejnë aq shumë para saqë ata mund të paguajnë pagat e 20 mijë peshkatarëve çdo vit.

Ose mund të paguajnë për 6 mijë projekte të reja të reduktimit të energjisë dhe dekarbonizimit, sipas një analize.

Flota evropiane e peshkimit emetoi të paktën 56 milionë ton dioksid karboni midis viteve 2010 dhe 2020, më shumë se dy herë më shumë se Malta gjatë së njëjtës periudhë.

Po ashtu ka studime që tregojnë se praktika të tilla çlirojnë po aq dioksid karboni sa e gjithë industria e aviacionit.

Megjithatë, anijet e peshkimit të Evropës nuk paguajnë taksa për karburantin aktualisht.

“Shuma të mëdha parash mund të përdoren për performancë të mirë të peshkimit”, ka thënë një nga autoret e raportit, Laura Elsler.

“Të dhënat tregojnë qartë se duke mbështetur emetuesit më të mëdhenj, subvencionet e karburanteve pengojnë një kalim drejt peshkimit me karbon të ulët”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, BE-ja mund të gjenerojë 681 milionë euro në vit nëse flota e saj e peshkimit taksohej me 33 cent për litër dhe 1.4 miliardë euro nëse paguante tarifën mesatare prej 67 cent për litër të ngarkuar për përdoruesit e transportit rrugor.

Ndërrimi i rrymave të taksave për të financuar një shtytje të dekarbonizimit do të ndihmonte BE-në “të kalojë nga peshkimi i paqëndrueshëm dhe jo me përfitim në përdorimin e parave publike për të ardhura dhe mjedis të shëndoshë”, ka hënë bashkëautori i raportit, Maartje Oostdijk.

BE-ja thotë se është e përkushtuar të heqë gradualisht subvencionet e karburanteve fosile, por një rishikim i taksës së energjisë sipas Marrëveshjes së Gjelbër propozon vetëm një normë tatimore jashtëzakonisht të ulët të industrisë prej 3.6 cent për litër për anijet e peshkimit.

Edhe ky grup taksash po kundërshtohet nga vendet e peshkimit duke përfshirë Francën, Spanjën dhe Qipron, të cilat duan që sektori të vazhdojë të mos paguajë taksa.

Sipas aktivistëve, të ardhurat e mbledhura nga një taksë e vendosur gradualisht mbi karburantin mund të përdoren për të financuar kërkimin dhe shtrirjen e teknologjive alternative për anijet e peshkimit si shtytje me ndihmën e erës, bateritë dhe sistemet e hidrogjenit të gjelbër.

Nga ana tjetër, raporti propozon projekte të dekarbonizimit si për shembull, elektrifikimin e porteve për energjinë në breg dhe për të ofruar pajisje peshkimi më efikase në karburant që redukton kapjen e rastësishme.

Popullatat e varfëruara të peshqve gjithashtu shkaktojnë emetime më të mëdha sepse anijet e peshkimit duhet të lundrojnë më tej në det për periudha më të gjata për të kapur të njëjtën sasi peshqish.

Flaminia Tacconi, një avokate e peshkimit për grupin ligjor të gjelbër ClientEarth, ka treguar se ishte e vërtetë që anijet e peshkimit të BE-së kishin reduktuar tashmë emetimet e tyre të karburantit.

Por kjo vetëm “sepse kishte shumë varka të subvencionuara për shumë pak peshq dhe sektori duhej të rregullohej drejt realitetit”.

Sakaq, raporti thotë se 17 subvencione alternative mund të tejkalojnë subvencionimin aktual të karburantit për ndikimin me 188 për qind kur maten kundrejt kritereve mjedisore, sociale dhe ekonomike.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore