Sport

Aktet e dhunës në derbin Tirana – Partizani, u ndalohet hyrja në stadium 14 tifozëve


Pas akteve të dhunës që shoqëruan ndeshjen KF Tirana – FK Partizani, e vlefshme për javën e 15-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka marrë masë përjashtimi për 14 tifozë, të cilëve u ndalohet hyrja në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara për një periudhë të pakufizuar kohe.

Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me policinë e shtetit lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen KF Tirana – FK Partizani të zhvilluar më datë 03.12.2023, ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2021 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar në nenin 59 e vijues të KDE vendosi të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF për një periudhë të pakufizuar kohe personave të mëposhtëm:

Denis Ahmeti, Renis Maçi, Qemal Cano, Endri Mesiti, Juxhin Seferi, Mishel Burreli, Redi Sinani, Erinol Dushaj, Grejsi Sorra, Lorjan Beqo, Elvis Qatia, Herald Huqi, Donald Ismaili dhe Armand Shëngjergji.

Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi. Një kopje e këtij vendimi t`i përcillet Policisë së Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore