Kosova

Aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj 10 zyrtarëve komunalë në Pejë


Prokuroria Themelore në Pejë.

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve komunalë në Pejë të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe konflikt interesi.

Përmes një konferencë për media prokurorja Lumturije Vuçetaj, ka thënë se procesi hetimor ndaj tyre kishte filluar tash e dy vjet.

“Pas një procesi hetimor pothuajse 2-vjeçar kanë përfunduar hetimet në çështjen penale kundër zyrtarëve komunalë në komunën e Pejës. Rezultat i hetimit intensiv në koordinim më Policinë e Kosovës ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj 11 personave”.

“Prej tyre 10 zyrtarë komunalë, katër janë drejtorë të drejtorive komunale, 2 udhëheqës të sektorëve të drejtorive përkatëse, 2 inspektorë të ndërtimit, një zyrtar gjeodet, pranë Drejtorisë për kadastër dhe gjeodezi si dhe një gjeodet i licencuar pranë Agjencionit Kadastral të Kosovës”, ka sqaruar ajo.

Ndërsa ka theksuar se disa prej zyrtarëve komanlë tashmë e kanë lëshuar punën, kurse disa të tjerë i mbajnë ende pozitat e tyre në Komunë.

Ajo ka shtuar se mbi ta rëndojnë 23 vepra penale, të cilat bien në kapitullin e veprave penale të korrupsionit zyrtar.

Prokurorja Lumturije Vuçetaj.

“21 vepra janë keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar ndërsa dy vepra janë konflikt i interesit”.

Ndërsa ka përmendur edhe aksionin e Prokurorisë së Pejës që ishte më 16 korrik të vitit 2021.

“Si rezultat i hetimit, vitin e kaluar kjo Prokurori ka ngritur edhe tri aktakuza. Aktakuzë kundër zyrtarëve komunal të Deçanit, aktakuzë kundër zyrtarëve komunal të Klinës dhe aktakuzë kundër zyrtarëve komunalë të Istogut”.

“Si rezultat i hetimit 2-vjeçar del se është ngritur aktakuzë kundër 23 personave, prej tyre 10 zyrtarë komunalë dhe 13 zyrtarë komunal publikë, mbi të cilët në tërësi rendojnë 55 vepra penale”.

Ajo ka sqaruar se mbi ta rëndojnë akuzat për ndërtimet që janë lëshuar leje në kundërshtim me ligjin, me këmbimin e pronës, me persona fizik dhe juridik dhe konflikt interesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore