Aktakuzë në mungesë ndaj një serbi, kishte dhunuar një të mitur gjatë luftës

SHFLETO
Valon Rashiti
02.10.2023 16:57
Loading Icons...

Prokuroria Speciale Kosovës të hënën ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër një serbi me inicialet M.J, lidhur me një rast të dhunimit seksual gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit, kjo aktakuzë është ngritur për gjykim në mungesë dhe i pandehuri akuzohet se ka dhunuar një të mitur si pjesëtarë i forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare.

“Gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Ferizajt, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, në bashkëkryerje me persona të tjerë, deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar, e cila në kohën e dhunimit ishte e mitur”, thuhet në njoftimin.

Po ashtu sipas Speciales, viktima pësoi lëndime të rënda fizike dhe trauma të përhershme psikike.

“Me këto veprime i pandehuri M.J. ka kryer vepër penale ‘Krimet e luftës kundër popullsisë civile’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë (i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Prokuroria Speciale thuhet se i ka propozuar Gjykatës kompetente që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për ta gjetur të pandehurin.