Lajme

Aktakuzë ndaj ish-pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë për krime lufte në Kosovë


Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ish pjesëtarit të sigurimit Shtetëror të Serbisë për krime lufte në Kosovë, për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri S.F., i cili ishte pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitin 1998, akuzohet se ai dhe dy zyrtarë të tjerë të këtij shërbimi kanë ndaluar një mjek dhe dy persona të tjerë në Prishtinë më datë 10.04.1998.

“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se  i pandehuri  S.F. në cilësinë e personit zyrtar, si Pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, me datë 10.04.1998, derisa viktima H.Sh, mjek me profesion”.

“Po udhëtonte me veturë private nga Gllogoci për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht H.S dhe Sh.H, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës, të njëjtit janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë Serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë”, ka thënë PSRK-ja në një njoftim për media.

Tutje është thënë se ndaj tyre ishte ushtruar dhunë e po ashtu ishin torturuar.

“Në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri S.F, në atë mënyrë që pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H.Sh. ishte marrë nga i pandehuri S.F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri S.F. dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Edhe më 14 shtator, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve serbë me inicialet I.R dhe D.D, për veprën penale të dhunimit seksual, gjatë luftës në Kosovë.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13 mijë persona dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore