Kosova

Aksioni i Policisë në Veri, konfiskohet një pushkë gjuetie e një pushkë ajrore


Ilustrim

Një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, dy telefona, një tytë e trombllonit, dy CD, disa dokumente, një bateri e dorës dhe një këllëf i armës.

Kjo është ajo çfarë është gjetur dhe konfiskuar nga ana e Policisë së Kosovës në operacionin e bastisjes në pjesën Veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përkatësisht në fshatin Banjë dhe Lozhistë të Zveçanit, ndërsa është thënë se rasti lidhet me vendosjen e barrikadave nga serbët lokalë në dhjetor të vitit 2022  pas ndalimit të qarkullimit të automjeteve me targa ilegale të Serbisë.

“Njësiti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda me vendim të Gjykatës Themelore Prishtinë, kanë bërë kontrollin e shtëpive dhe lokaleve përcjellëse të dy të dyshuarve meshkuj kosovarë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Policia e ka iniciuar rastin si “bashkim për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, dhe siç thuhet në raportin policor, të dyshuarit kishin vepruar përgjatë datave 10 deri më 29 dhjetor.

Njësitet relevante, sipas Policisë së Kosovës janë duke u marrë me rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore