Mbyllen 6 degë të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë në Veri

Foto; Albanian Post

Valon Rashiti
20.05.2024 16:48
Loading Icons...

Gjashtë degë të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë në Veri të Kosovës janë mbyllur nga Policia së bashku me Agjencinë Tatimore, me autorizim të prokurorisë për shkak të dyshimit se këto banka kanë zhvilluar veprimtari të kundërligjshme.

Pos zyrtarëve policorë të Kosovës, në vend të ngjarjes janë parë edhe zyrtarë të EULEX-it dhe KFOR-it të cilët e kanë monitoruar aksionin e forcave të rendit.

Pas aksionit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se sundimi i rendit dhe ligjit dhe shërbimi ndaj qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi kryesor.

“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi. Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar”, shtoi.

Ndryshe, nga 12 maji, euro është valuta e vetme për transaksione në Kosovë, meqë periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka përfunduar.

“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në Veri.

Më 1 shkurt, në Kosovë pati hyrë në fuqi rregullorja e BQK-së që parashihte që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.

Ky vendim kishte rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.

Po ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e Rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në Veri.

Të fundit

Aktuale