Pajisje

Aksionet e Apple-it bien pas ndalimit të iPhone-it nga qeveria kineze


Aksionet e kompanisë Apple kanë rënë për të dytën ditë radhazi pas raportimeve se punonjësve të qeverisë kineze u është ndaluar përdorimi i telefonave iPhone.

Vlerësimi i tregut të aksioneve të firmës ka rënë me më shumë se 6 për qind, ose pothuajse 200 miliardë dollarë në dy ditët e fundit.

Kina është tregu i tretë më i madh i gjigantit të teknologjisë, duke zënë 18 për qind të të ardhurave totale të saj vitin e kaluar.

Po ashtu është vendi ku shumica e produkteve të Apple-it prodhohen nga furnizuesi i saj më i madh Foxconn.

Wall Street Journal raportoi se Pekini kishte urdhëruar zyrtarët e agjencisë qendrore të qeverisë që të mos sjellin iPhone në zyrë ose t’i përdorin ato për punë.

Kurse Bloomberg raportoi se ndalimi mund të vendoset edhe për punëtorët në kompanitë shtetërore dhe agjencitë e mbështetura nga qeveria.

Sakaq, raportimet kanë ardhur përpara prezantimit të iPhone 15, i cili pritet të bëhet më 12 shtator.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga qeveria kineze në përgjigje të raporteve.

Kompania amerikane ka vlerësimin më të lartë në botë në tregun e aksioneve, që qëndron në afërsisht 2.8 trilion dollarë.

Ndërkaq, aksionet në disa nga furnizuesit e Apple-it gjithashtu kanë rënë.

Qualcomm, furnizuesi më i madh në botë i çipave të telefonave inteligjentë, ra me më shumë se 7 për qind.

Këtë vit, Washington-i së bashku me aleatët e tij Japoninë dhe Holandën, kufizuan aksesin e Kinës në disa teknologji.

Dhe Kina u hakmor duke kufizuar eksportet e dy materialeve kyçe për industrinë e gjysmëpërçuesve.

Pekini thuhet gjithashtu se po përgatit një fond të ri investimi prej 40 miliardë dollarësh për të nxitur industrinë e tij të prodhimit të çipave.

Javën e kaluar, gjatë vizitës së Sekretares amerikane të Tregtisë Gina Raimondo në Pekin, gjigandi kinez i teknologjisë Huawei zbuloi papritur telefonin e tij inteligjent Mate 60 Pro.

Kompania nisi shitjet paraprake të modelit Pro+ të telefonit.

Firma kërkimore teknologjike me bazë në Kanada, TechInsights, ka thënë se telefoni përmban një procesor të ri 5G Kirin 9000s, i zhvilluar për Huawei nga prodhuesi më i madh i çipave me kontratë SMIC në Kinë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore