Pajisje

Aksionarët e Microsoft-it ‘rebelohen’ ndaj pretendimeve për ngacmime seksuale


Aksionerët e Microsoft-it kanë mbështetur me shumicë dërrmuese një votë proteste, duke i drejtuar thirrje kompanisë së teknologjisë të zbulojë më shumë rreth trajtimit të pretendimeve të ngacmimit seksual.

Lëvizja vjen pas rasteve të fundit dhe zbulimeve se bashkëthemeluesi Bill Gates kishte një marrëdhënie intime me një punonjëse.

Agjencia e lajmeve, “Financial Times”, tregon se thirrja arriti në një rebelim të rrallë në mbledhjen vjetore të aksionerëve të kompanisë, me 78 për qind të atyre që votuan kundër menaxhimit të lartë.

Pas kësaj, kompania ka dhënë premtimin e menjëhershëm për më shumë transparencë. Megjithatë, nuk ka pohuar se do të zbulonte detaje rreth akuzave individuale ose nëse do të rihapte trajtimin e rasteve nga vitet e mëparshme.

Arjuna Capital, e cila paraqiti propozimin sfidues, ka thënë se departamenti i burimeve njerëzore kishte mbështetur vetëm një pretendim kundër grupit nga 238 të përfshira gjithsej në një padi kolektive që pretendonte diskriminim dhe ngacmim në vitin 2012.

“Raportet për marrëdhëniet e papërshtatshme të Bill Gates dhe ngacmimet seksuale ndaj punonjësve të Microsoft-it vetëm sa kanë përkeqësuar shqetësimet, duke vënë në pikëpyetje kulturën e vendosur nga menaxhimi i lartë”, ka vijuar propozimi i aksionerëve.

Këtë vit, kompania ka zbuluar se bordi kishte punësuar një grup të jashtëm për të shqyrtuar një “marrëdhënie intime” prej dekadash që Gates kishte me një punonjëse.

Por Gates u largua nga bordi përpara se të përfundonte hetimi. Ndërkohë, nuk është zbuluar asnjë rezultat hetimi.

Vota e aksionerëve i dha një goditje reputacionit të lartë të Microsoft-it me investitorët e fokusuar në çështjet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes.

Ajo shënoi gjithashtu herën e parë që nga viti 2000 që aksionerët kanë marrë një qëndrim kundër menaxhimit të kompanisë.

“Ka hapa të rinj që do të ndërmarrim dhe për të cilët po mendojmë”, ka thënë Brad Smith, presidenti i kompanisë, pas votimit.

Gjithashtu ai mendon se “rezoluta dhe dialogu që kemi pasur, na ka ndihmuar të avancojmë vendimmarrjen”.

Sipas tij, kompania kishte përpiluar më shumë informacion nga brenda për pretendimet për ngacmim dhe ka pranuar se “interesi i aksionarëve” e bënte të rëndësishëm zbulimin publik.

Kështu që, shkruan “Financial Times”, Microsoft-i do të urdhërojë një rishikim të pavarur të mënyrës se si i trajton pretendimet për ngacmim dhe do të publikojë rezultatet.

Megjithatë, presidenti ka ndalur së premtuari se kompania do të miratonte ndonjë rekomandim, duke thënë vetëm se do të “mendonte shumë” për të bërë ndryshime.

Smith ka zbuluar edhe se kompania do të publikojë më shumë detaje mbi hendekun e pagave gjinore, pavarësisht refuzimit të aksionerëve të një propozimi të veçantë për këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore