Lajme

AKK i kundërpërgjigjet Muratit: Komunat nuk e kanë rritur faturën e tatimit në pronë


Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Pas deklaratave të Ministritë të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, se “ministria s’ka marrë vendim për të rritur tatimin, shkallët tatimore i caktojnë komunat”, ka reaguar edhe Asocacioni i Komunave të Kosovës.

Edhe nga Asociacioni është mohuar se rritja e tatimit në pronë është bërë nga komunat.

“Komunat nuk e kanë rritur faturën e tatimit në pronë”, thuhet në reagimin e Asociacionit.

Tutje, është sqaruar se fatura e tatimit në pronë përmban dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese.

“Vlera e pronës për metër katror (m/2) e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve  (Departamenti i Tatimit në Pronë) dhe Norma tatimore e cila përcaktohet nga Komunat”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Të njëjtit kanë hedhur fajin sërish tek Ministria e Financave.

“Vlen të sqarohet se Komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut”.

AKK-ja ka theksuar se çmimi i faturës së Tatimit në Pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore.

“Kështu, me rritjen e çmimit të pronave (pa u rritur fare norma tatimore nga Komunat) është rritur automatikisht vlera e faturës së Tatimit në Pronë”.

Nga komunat është kërkuar që të procedohet në Kuvendin e Kosovës, ligji i ri i tatimit në Pronë me urgjencë.

“Me këtë rast, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe njçherë që sa më shpejt të procedohet në Kuvend, Ligji i ri i Tatimit në Pronë, ku është kërkuar që norma tatimore aktuale të ulet nën 0.15%”.

Lidhur me rritjen e tatimeve në pronë, ka pasur reagime të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale duke e quajtur këtë vendim si “absurd”.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një reagimi në rrjetin social ‘Twitter’ ka thënë se norma e tatimit është e njëjtë, por Ministria e Financave ka bërë rivleresimin e pronave, duke i vleresuar me lartë.

“Ministria s’ka marrë vendim për të rritur tatimin, shkallët tatimore i caktojnë komunat”, arsyetohet Murati

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore