Lajme

AKB-ja e konsideron vendimin e Qeverisë për çmimet e derivateve, antikushtetues


Ilustrim.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për caktimin e çmimeve tavan për shitjen e derivateve nga dita e hënë, ka reaguar Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Sipas tyre, ky vendim i njëanshëm po tenton të ulë marzhën e fitimit të sektori i naftëtarëve.

“AKB-ja e vlerëson vendimin e Qeverisë së Kosovës antikushtetues i cili përmes Udhëzimit Administrativ NR.03/2022 për Rregullimin e çmimeve të produkteve të Naftës dhe karburanteve te ripërtëritshme dhe masat tjera mbrojtëse tenton të ulë marzhën e fitimit tek sektori i naftëtarëve në shitjen me shumicë 2 centë, kurse me pakicë 12 centë”, thuhet në komunikatën e AKB.

Ndërsa, thonë se me këtë vendim, Qeveria po ndërhynë në ekonominë e tregut, duke bërë shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese.

“Ky udhëzim administrativ nuk është detyrues derisa është Antikushtetues, me këtë udhëzim ngrihen shumë çështje që kanë të bëjnë me shitjen e derivateve në Kosovë. Së pari Buxheti i Shtetit humb 10% më pak tatim në fitim e që kjo tashmë do të tatohet në shtet tjera eksportuese duke e fsheh marzhën e fitimit përmes rabatit”.

“Së dyti lind ideja e sektorit të naftëtarëve se a duhet të respektohet ky udhëzim antikushtetues dhe së treti Qeveria me këtë hap jo bashkëpunues me komunitetin e biznesit të këtij sektori i rebelon naftëtarët duke bërë hapa gjithmonë në dëm të shtetit dhe konsumatorëve dhe vetvetes duke i bojkotuar importet”.

Nga AKB-ja është thënë se do të kërkohet pezullimi i këtij vendimi, e më pas të vazhdohet me procedura edhe për anulimin e tij të plotë.

“AKB-ja i kërkon Qeverisë rishikimin e këtij Udhëzimi Administrativ dhe të marrë një vendim tjetër të heqjes së akcizës në derivate dhe të përcakton limitin e marzhës në bashkëpunim me komunitetin e bizneset. Gjithashtu i njofton Bizneset që secili vendim me shkelje kushtetuese, ligjore dhe procedurale nuk i obligon ta respektojnë, por mund ta adresojnë në Gjykatë për interpretim”.

Të hënën e 27 qershorit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë ka caktuar çmimet tavan për shitjen e derivateve.

Bazuar në këtë vendim, çmimi maksimal i lejuar i naftës është 1.85 euro për litër, i benzinës 1.74 euro dhe i gazit 0.78 euro.

Këto çmime do të jenë të vlefshme 24 orë nga ora 10:00 të hënën.

Ndryshe, ministria pritet të caktojë çdo ditë çmimet tavan për shitjen e derivateve.

Dokument i publikuar nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Më 22 qershor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar me unanimitet, udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve për produktet e naftës dhe karburanteve të ripërtritshme dhe masat e tjera mbrojtëse, në Kosovë.

Udhëzimi administrativ në fjalë bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori, të mbrohet konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg dhe për qëllime të tjera të interesit shtetëror, ka deklaruar ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë.

“Në bazë të të dhënave që posedon Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të konfirmuara me evidencë nga bizneset, nga Dogana dhe ATK, të cilat evidenca kanë argumentuar që ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet e çmimeve në tregun botëror, prandaj për faktin që mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar apo përkufizimin e marzhës tregtare”, ka deklaruar Hajdari.

Ministrja nuk ka zbuluar tavanin e çmimit të naftës dhe derivateve të tij, por ka thënë se kjo do të përllogaritet nga evidencat që kanë siguruar nga institucione përgjegjëse në Kosovë.

“Përllogaritjet për çmimin maksimal do të jenë të bazuara nga evidenca e doganës dhe ATK-së dhe udhëzimi në fjalë është përgatitur në punën ekipore me Ministrin e Financave, Punës dhe Transferove dhe institucionet tjera përkatëse dhe me këtë udhëzim Ministria e Industrisë dhe Ndërmarrësisë e Tregtisë, propozon caktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”, ka shtuar Hajdari.

Ky udhëzim administrativ, të cilin ministrja Hajdari nuk e shpalosi fare, thotë se u hartua në përputhje me procedurat e parapara pas konsultimit me Administratën Tatimore të Kosovës, Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Inspektoratin e Tregu, Shoqatën e Naftëtarëve dhe të tjerë akterë përkatës.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.

Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Për mbikëqyrjen e fenomeneve të tilla, institucion kompetent është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka rreth 11 muaj që nuk është funksional dhe kjo për shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore