Sport

“Akademi elitare futbolli”, Rama niset drejt Anglisë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të niset të mërkurën e 26 prillit drejt Anglisë për të mbyllur marrëveshjen për ngritjen e një akademie elitare futbolli në Durrës.

Delegacioni shqiptar me në krye Ramën do të zhvillojë takime në Manchester në kuadër të zhvillimit sportiv të vendit tonë.

Më herët, kreu i Qeverisë zbuloi se autoritetet krahas përmirësimit të infrastrukturës së shkollave në Durrës, do të sjellin edhe një nga akademitë më elitare të futbollit të një prej skuadrave më të rëndësishme të botës.

“Nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë edhe krahun tjetër, që është ai që i takon shtetit, që ka të bëjë me infrastrukturën e shkollave, që ka të bëjë me infrastrukturën e kopshteve, çerdheve, që ka të bëjë me infrastrukturën sportive, jemi duke u negociuar dhe jemi shumë afër së bashku me Anin një marrëveshje të re për të sjellë këtu në Durrës një nga akademitë më elitare të futbollit të një prej skuadrave më të rëndësishme të botës dhe duam ta sjellim në Durrës si një pol të ri sportiv, si një akademi rajonale e futbollit”, deklaronte dy ditë më parë Rama.

Sipas tij, paralelisht me akademinë e futbollit do jetë edhe një shkollë e futbollit për fëmijët, e cila do të jetë shumë më e gjerë.

Kjo, sepse akademia do jetë një strukturë plotësisht e mbështetur tek garancia e talenteve kurse shkolla e futbollit do jetë një strukturë për shumë më tepër fëmijë dhe për të parë sesi ata zhvillohen në proces.

“Ky nuk është një projekt për të cilin do presim vite, është një projekt të cilin po e negociojmë aktualisht; nuk mund të them emrin e skuadrës, por të jeni të sigurt që kur ta dëgjoni emrin do thoni ‘Ou është e vërtetë kjo apo është…’ dhe prandaj nuk dua ta përmend emrin sepse derisa ta konkludojmë do ta mbaj veten”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore