Lajme

Ajo e gjeti forcën te piktura për të rikujtuar Iranin që humbi


“We Could Be Heroes…” – retrospektiva e Soheila Sokhanvari – e merr emrin nga klasikja “Heroes” e vitit 1977 e David Bowie.

Një këngë kjo, që ka një rezonancë të veçantë për artisten iraniane, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ngjashëm si dy të dashuruarit e ndarë nga Muri i Berlinit në këngën e Bowie, Sokhanvari u nda nga gjithçka që dinte dhe donte nga Revolucioni i vitit 1979.

Përvoja frymëzoi pikturat e saj në miniaturë me modele të gjalla, të cilat evokojnë një të kaluar para-revolucionare të kujtuar në mënyrë të mjegullt, ku vlerat progresive dhe konservatore bashkëekzistonin dhe ringjallin ikonat që Republika Islamike u përpoq të shkatërronte.

Sokhanvari, tani 59 vjeç, mbërriti në Britaninë e Madhe në vitin 1978 si një 14-vjeçare për të qëndruar me miqtë e familjes, duke mos qenë kurrë larg njerëzve të dashur më parë.

Plani ishte që ajo të shkollohej në Mbretërinë e Bashkuar përpara se të kthehej në Iran.

Por më pas filloi revolucioni.

“Gjatë natës humba aksesin me këdo që doja, gjuhën time, kulturën time, gjithçka”, ka treguar Sokhanvari.

Ajo gjeti ngushëllim në një album fotografik familjar që nëna e saj kishte paketuar për të dhe filloi të vizatonte nga imazhet.

“Kur po vizatoja njerëzit në foto u gjallëruan dhe unë munda ta ripërjetoja atë moment. Më ndihmoi të përballoja mallin për familjen dhe njerëzit e mi”.

Sokhanvari kishte dashur që në vegjëli të bëhej artiste, por fillimisht u trajnua si shkencëtare kërkimore për të kënaqur nënën e saj.

Megjithatë ishte një profesion nga i cili ajo ndihej gjithmonë e tjetërsuar. “Ndihesha sikur po shkelja në botën e shkencës”.

Një aksident i rëndë me çiklizëm në vitin 1997 ishte katalizatori që Sokhanvari të ndiqte më në fund ëndrrën e saj.

“Ia premtova vetes se nëse do të rifitoja shëndetin do të bëhesha artiste. Nuk doja asnjë keqardhje në jetën time”.

Në veprën e hershme të Sokhanvarit, ajo përdori naftën bruto iraniane – zbulimi i së cilës në vitin 1908 do të çonte në intriga ndërkombëtare, grushte shteti dhe dhunë – për të krijuar vizatime me nuancë sepie të festave familjare dhe kulturës popullore në Iranin para-revolucionar.

Fotot në dukje nostalgjike sugjerojnë se përmes përdorimit të naftës “ne të gjithë jemi të përfshirë në këto histori”.

“Nuk ka një person në këtë planet që nuk ka përdorur naftë bruto në një farë mënyre. Është në rrobat tona, në plastikë, në bojë”, ka dalluar Sokhanvari.

Por janë miniaturat e saj të mëvonshme për të cilat ajo është bërë më e njohur.

E lyer me një pigment të përzier me të verdhën e vezës në një pergamenë të bërë nga lëkura e viçit duke përdorur një krehër – një teknikë e lidhur tradicionalisht me miniaturat persiane – çdo pikturë e vogël i merr Sokhanvari nga gjashtë deri në 12 javë, duke punuar të paktën 12 orë në ditë.

Shfaqja e saj e parë e madhe solo, “Rebel”, e cila u përqendrua në serinë e saj të interpretuesve femra të heshtura nga revolucioni, u prit ngrohtësisht nga kritikët kur u hap në Barbican në Londër në vitin 2022.

Frymëzimi fillestar i Sokhanvarit për miniaturat e saj ishin fotografitë familjare që e kishin ngushëlluar gjatë gjithë fëmijërisë së saj.

“Babai dhe nëna ime ishin muza, ata ishin personazhet mbi të cilët ndërtova një histori rreth tyre”, ka rrëfyer ajo.

Para revolucionit, babai i saj punonte si stilist dhe model dhe inkurajoi nënën e Sokhanvarit që mbante koshere bletësh të përqafonte modën perëndimore.

Megjithatë gjyshja e saj ishte shumë më tradicionale.

“Në të njëjtën familje mund të kesh këtë hendek mes njerëzve që përqafuan ideologjitë perëndimore dhe atyre që i refuzuan ato”, ka sjell ndërmend ajo.

Ideologjitë konfliktuale trajtohen nëpërmjet kombinimit të modeleve perëndimore dhe islame në punën e saj.

“I bashkova të dyja sepse këta njerëz po përpiqen të negociojnë dy kulturat kundërshtare”, ka treguar ajo.

Ishte viti 2019 që Sokhavani filloi të përqendrohej te interpretueset femra iraniane si aktorja Kobra Saeedi, e cila nuk mund të punonte më pas revolucionit të vitit 1979.

Të ndaluara të performojnë, të këndojnë apo të kërcejnë në publik, shumë artistë të tjerë u burgosën dhe dyshohet se u torturuan.

Çdo film në të cilin ata ishin shfaqur u dogj dhe imazhet e tyre u shkatërruan ndërsa regjimi i ri u përpoq të fshinte çdo provë që kishin ekzistuar ndonjëherë.

Për Sokhanvarin, e cila ishte në gjendje të përqafonte profesionin e saj të vërtetë si artiste më vonë, dëshira për të krijuar portretet e tyre ishte thellësisht personale.

“Thjesht mendova se si do të ndihesha nëse do të më ndalonin të krijoja artin tim”, ka thënë ajo.

Duke përdorur imazhe në internet, Sokhanvari i ringjall këto gra në kulmin e tyre, duke krijuar portrete martire moderne të një brezi grash, jetët e të cilave u shkatërruan.

Disa janë kapur në poza dramatike, të tjerët janë mbështetur rehat në një divan, por të gjitha janë mbështjellë me një trazirë modelesh dhe ngjyrash.

Edhe pse Sokhanvari nuk dëshiron të emërojë emra nga frika se mos i rrezikon, ajo ka treguar se një numër i subjekteve të saj e kanë kontaktuar atë përmes Instagram-it, pasi kanë parë programin përmes serisë në Iran.

Portretet nuk mund të shfaqeshin kurrë në Iran, por të paktën gratë e dinin se ekzistonin.

Ajo është optimiste për të ardhmen e vendit të saj, falë një brezi të ri gjithnjë e më laik dhe më shumë burra që qëndrojnë krah për krah me gratë.

“Nëse të gjithë ngrihen, atëherë ne do të fitojmë dhe brezi i ardhshëm do të bëjë një Iran më të mirë”.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore