Biznes

Air Albania me infrastrukturë të re në 2021-in


Stadiume

Gjatë një interviste radiofonike në emisionin “Paso” të Top Albania Radios, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, pasi bëri një përshkrim të situatës kritike që po kalon futbolli shqiptar për shkak të pandemisë Covid-19, dha lajme pozitive në lidhje me disa investime që do të bëhen gjatë muajve të parë të 2021-shit në infrastrukturën e stadiumit Air Albania.

“Air Albania do të ketë një fushë perfekte për vitin 2021. Do të fillojnë përgatitjet që në janar. Kemi marrë masat për disa ndryshime teknologjike të domosdoshme për atë lloj impianti”, pohoi Duka, njofton Albanian Post.

“Nuk do të ndërrohet fusha deri në mars, sepse fizikisht është e pamundur të ndërrohet, por do të bëhen një sërë shërbimesh të tjera për të përmirësuar kualitetin e saj dhe për të pasur një gjendje optimale në mars dhe për të pasur një gjendje perfekte në qershor”.

“Nuk do ta ndërpresim aktivitetin në fushën e ‘Air Albania’, sepse kemi marrë masa për përmirësimin e asaj që është nëpërmjet një sistemi artificial ndriçimi, për të zëvendësuar rrezet e diellit, dhe për ventilimin. Jo se do të ndërhyjmë fizikisht për zëvendësimin e fushës”.

Kryetari i FSHF-së tregoi edhe se pas ndeshjes me Anglinë, do të bëhet zëvendësimi i fushës me fushë të re, për të luajtur në qershor në fushë të re në Kupat e Europës.

“Investimi është shumë i madh, qoftë sistemi i ndriçimit, sistemi i ventilimit apo edhe bari hibrid është investim shumë i madh, diku 800-900 mijë €. Ndihmë nga qeveria? Jo. Nga qeveria nuk kemi ndonjë shpresë në këtë drejtim”.

“Ne kemi bërë përpjekje me UEFA-n, duke qenë se stadium është përcaktuar për zhvillimin e finales së Ligës Evropian e Konferencës në 2022 (UEFA European Conference League). Kemi kërkuar një ndihmë për përmirësimin e fushës. Pavarësisht se nuk ka një vendim për të na financuar, ne do ta fillojmë me financimet tona, por kam besim që UEFA do të na mbështesë në këtë financim”./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore