Sport

“Ai ka lindur për të luajtur futboll, është kënaqësi ta stërvitësh” – flet trajneri i Empoli-t për Asllanin


Trajneri i Empoli-t, Aurelio Andreazzoli, është një nga personat që e njeh më së miri Kristjan Asllanin.

Andreazzoli ishte ndër meritorët që shfaqi talentin e Asllanit, ku ki i fundit debutoi nën urdhrat e tij në sezonin e kaluar.

Mesfushori i kombëtares shqiptare tani është transferuar te nënkampionët e Italisë, Inter-i dhe duket se menjëherë u përshtat me skemat e klubit zikaltër.

Lidhur me të ka folur ish-trajneri i tij, i cili ka thënë se vërehej që Asllani kishte diçka të veçantë, por nuk i mori meritat për vete lidhur me rritjen e Kristjanit si futbollist.

“Të jem i sinqertë, nuk ishte e vështirë të dalloja se ai kishte diçka më shumë se të tjerët. Ata që e morën të vogël dhe e rritën tek Empoli kanë zhvilluar një punë shumë të mirë”, tha Andreazzoli për “Corriere dello Sport”.

“Nuk mendoj se kam shumë merita në lidhje me Asllanin, pasi trajnerët përfitojnë shumë nga puna e futbollistëve”, shtoi tekniku italian.

68-vjeçari tha më tej se Asllani është një djalosh i veçantë, i cili dallon nga futbollistët e sotëm.

“Aftësitë morale të Asllanit më kanë befasuar. Ai ka lindur për të luajtur futboll, e ka mendjen në vend, është një djalosh që nuk ka tatuazhe dhe nuk e dëgjon kurrë të thotë ndonjë fjalë kot”, tha Andreazzoli.

Tutje trajneri i Empoli-t shtoi se është kënaqësi për çdo trajner që ta stërvitë Asllanin, pasi ai është një futbollist me plot talent.

“Kristian është gjithmonë i përqendruar, është kënaqësi ta stërvitësh. Ai bën atë që i thua, nuk është e nevojshme t’ia përsëritësh të nesërmen. Ai duhet ende të formohet fizikisht, por ka cilësi të jashtëzakonshme sa i përket qëndrueshmërisë”, shtoi italiani.

“Sa i përket këmbëve është e kotë të flasim, gjuan me të majtën dhe të djathtën, është i saktë në goditjet e penalltive dhe harkon bukur nga këndoret”, shtoi Andreazzoli.

Në fund shefi i stolit të Empol-it tha se Asllani është i gatshëm që të jetë një startues në formacionin e Inter-it.

“A është gati për Inter-in? Mendoni se ata do e blinin po të mos ishte gati?! Më ka pëlqyer në ndeshjet e para miqësore me Inter-in. Asllani tenton portën me të dy këmbët, ka një goditje të bukur”, përfundoi Andreazzoli.

Kujtojmë që Asllani zhvilloi dy ndeshje shumë të mira miqësore me skuadrën e tij të re.

Ai dhuroi një asistim në fitoren e Inter-it me rezultat 4:1 ndaj Lugano-s, derisa në barazimin 2:2 ndaj Monaco-s, Kristjani e shënoi një gol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore