Ahmeti: VMRO-ja s’ka mandat për t’i poshtëruar shqiptarët, kemi aq gjak sa t’i dalim zot vetvetes

SHFLETO

Ali Ahmeti

 

Dini Fetahu
05.06.2024 16:47
Loading Icons...

Ali Ahmeti, lideri i “Frontit Evropian”, ka thënë se partia nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE nuk ka mandat për t’i poshtëruar shqiptarët, dhe e ka paralajmëruar se shqiptarët në Maqedoni të Veriut janë të gatshëm t’i dalin zot vetes.

Këto komente, Ahmeti i ka bërë pasi që VMRO-ja si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoni të Veriut, ka anashkaluar “Frontin Evropian”, si fitues i zgjedhjeve në taborin shqiptar, dhe ka përzgjedhur koalicion “VLEN”, i cili ka 4 mandate më pak se Fronti.

Ahmeti ka theksuar se situata aktuale, apo siç e ka quajtur ai, përballja që ka, nuk është më e vështirë se ajo e 2001-shit, koha kur në Maqedoni kishte luftë mes forcave ushtarako-policore dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me komandat suprem Ali Ahmeti, e cila kishte ardhur si rezultat i keqtrajtimit sistematik që regjimi maqedonas ua bënte shqiptarëve.

“Duhet t’u thuhet ndal ambicieve të sëmura të partisë politike, e cila ne nuk e mohojmë që ka mandatin për të drejtuar me ekzekutivin, por ama nuk ka mandat për të bërë përzgjedhje dhe për të poshtëruar shqiptarët në RMV, kanë aq gjak shqiptarët në RMV, sa t’i dalin zot vetvetes”, tha Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Shqiptarët në Maqedoni të Veriut, si komuniteti i dytë më i madh në vend, pas maqedonasve, në çdo qeveri kanë udhëhequr me numër të konsiderueshëm të dikastereve qeveritare.

Kulmi ka qenë në qeverinë që Dimitar Kovaçevski-t, ku gjysma e ministrive udhëhiqeshin nga shqiptarët, përfshirë zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Si rezultat i marrëveshjes politike në mes të LSDM-së së Kovaçevski-t dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit, shqiptarët që nga janari janë duke udhëhequr edhe kryeministrinë. Në këtë pozitë është Talat Xhaferi.

Ndërsa, që dy mandate radhazi, shqiptarët kanë edhe pozitën e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Edhe në këtë pozitë, si i pari shqiptar, ka qenë për dy mandate radhazi Xhaferi.

Kjo traditë nuk u prish as me koalicionin VLEN-VMRO. Shqiptarët përsëri e morë udhëheqjen e kuvendit. Afrim Gashi është zgjedhur në këtë pozitë këtë javë.

Por, ajo çka bie në sy në marrëveshjen e VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së është numri i vogël i ministrive që u është dhënë shqiptarëve, vetëm 4.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut po krijohet pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, në të cilat në kampin maqedonas fitoi bindshëm VMRO, me plotë 58 deputetë, ndërsa te shqiptarët fitore korri “Fronti Evropian”, me 18 mandate, apo 4 më shumë se “VLEN”-i.

Por, përkundër kësaj, VMRO-ja ka përzgjedhur “VLEN”-in që të bëjë koalicion, duke anashkaluar kështu parimin fituesi me fituesin (te shqiptarët dhe te maqedonasit).