Lajme

Ahmeti: Sulmi vrastar ndaj Kosovës është sulm ndaj paqes e sigurisë së rajonit


Ali Ahmeti

“Sulmi vrastar ndaj shtetit të Kosovës dhe policisë së vendit është sulm ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit”, ka thënë Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, pasi një polic është vrarë në Veri dhe një tjerëw është plagosur.

Përmes një postimi në Facebook, lideri i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e ka dënuar në mënyrën më të ashpër sulmim ndaj Policisë së Kosovës

“Ky provokim i rëndë është i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar, andaj dhe duhet menaxhuar me gjakftohtësi dhe mençuri për arsye se pasojat mund të janë rajonale mbi paqen dhe stabilitetin”, shkroi.

Kreu i BDI-së pohoi se këto zhvillime janë të papranueshme dhe koordinimi dhe  “bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar, garantues i paqes dhe pavarësisë së Kosovës, është i domosdoshëm dhe urgjent”.

“Nevojitet veprim i menjëhershëm për shuarjen e zjarrit vrastar dhe ndjellakeqës që synon zgjerimin dhe përfshirjen e vendit dhe rajonit”, shtoi.

Ahmeti i shprehu ngushëllime më të sinqerta familjes së viktimës dhe shërim të shpejtë të plagosurve.

Si ndodhi ngjarja?

Policia e Kosovës, në orët e pas natës me një njoftim zyrtar ka shpjeguar se si ndodhi ngjarja e rëndë ku mbeti i vdekur një polic dhe një tjetër i plagosur.

Policia ka thënë se gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhej, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit në Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit.

Sa kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Policët janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

“Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura”.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore