Kosova

Ahmeti: Shqiptarët janë dalëzotës në shtëpinë e vet


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, gjatë seancës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku pritet të zgjidhet kryeministri shqiptar, tha se shqiptarët janë dalëzotës në shtëpinë e vet, derisa përmendi Marrëveshjen e Ohrit (13 gusht 2001) e cila bazohet mbi parimet e bashkëjetesës dhe barazisë midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Mua më mohohej gjuha e nënës, ndërsa prindërve u mohohej punësimi. Unë flas këtu si një njeri që vjen nga prindër që kanë lënë gjymtyrët e tyre jashtë vendit. U flas si një njeri i cili ka përjetuar vuajtje e tortura nga sistemi. Marrëveshja Paqësore e Ohrit ia dha tapinë Xhaferit të jetë zot në vend dhe në shtëpinë e vet”, deklaroi ndër të tjera kreu i BDI-së.

Kanditati për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, deklaroi të dielën gjatë seancës se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisjes teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian (BE), Aleancës Veri-Atlantike (NATO) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Duke marrë parasysh që kjo qeveri është vazhdim i qeverise paraprake, unë dhe qeveria që do të udhëheq do të vazhdojë aplikimin e politikave të kaluara. Puna e qeverisë do të zbatohet në parimin e respektimit të plotë të ligjeve, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta parlamentare”, nënvizoi Xhaferi në hyrje të ekspozesë së qeverisjes teknike.

“Avancimi i lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në, aleancën e NATO-s dhe SHBA-në, përfshirë zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndër-etnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm, drejt integrimit të suksesshëm euro-atlantik, do jenë prioritetet e qeverisjes teknike”, shtoi Xhaferi.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut këtë të diel (28 janar) pritet të votojë qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut e cila do të drejtohet nga ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i cili për herë të parë drejtoi edhe legjislativin maqedonas nga viti 2017, ndërsa nga sot pritet ta drejtojë edhe ekzekutivin e Maqedonisë së Veriut për 100 ditë.

Xhaferi në postin e kryeministrit zëvendëson liderin e Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski, i cili ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, bazuar në ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që 100 ditë para zgjedhjeve paralametare të emërohet një qeveri teknike që do të përkujdeset për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Kryetari i BDI-së premtoi “kryeministër shqiptar” në vitin 2020. Në marrëveshjen për formimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e LSDM-së dhe BDI-së, thuhej se në 100 ditët e fundit të mandatit, qeveria teknike të drejtohej nga një zyrtar i propozuar nga BDI-ja. Dhe ky premtim tani pritet të bëhet realitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore