Lajme

Ahmeti: Serbia ta njohë përfundimisht Kosovën si shtet


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për Klan Macedonia, ka thënë se i është kthyer në agjendë të punës çështja e Kosovës, derisa ka kërkuar nga Serbia që përfundimisht ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Duhet përfundimisht që Serbia ta njohë Kosovën si shtet, Kosova duhet ta zë vendin e merituar në të gjitha institucionet ndërkombëtare, në Organizatën e Kombeve të Bashkuar, të mos ketë pengesa, të njihet nga vendet e BE-së”, tha Ahmeti.

“Ka shqetësime nga partnerët tanë strategjik, sa më shpejt të përmbyllet çështja e Kosovës. Kjo çështje mund të rikthej situata jo të këndshme brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.

Tutje kreu i BDI-së ka theksuar se pa një pajtim shqiptaro-serb, “është i lënduar stabiliteti dhe siguria jo vetëm në Kosovë dhe në Serbi por edhe më gjerë”.

Ndërsa teksa ka folur për zgjedhjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferit, ai ka potencuar se “Maqedonia e Veriut ka qenë laborator për ta instaluar anti-shqiptarizimin”.

“Maqedonia e Veriut ka qenë laborator për ta instaluar anti-shqiptarizimin. Të gjitha elaboratet duke filluar nga Çubriloviçi, Jashanini, elaboratet këtu janë aplikuar në praktikë. Kemi kërkuar shkollim në gjuhën shqipe, por na kanë torturuar në Shkup. Shqiptarët i detyruan të mësojnë në gjuhën maqedonase”, pohoi Ahmeti.

Por, tani sipas Ahmetit, synim i Maqedonisë së Veriut është Bashkimi Evropian, derisa ka shtuar se flamuri shqiptar është i paprekshëm dhe në përdorim zyrtar në Maqedoninë e Veriut.

“Mos t’i kemi vuajtjet që ne si gjenerata që i kemi përjetuar. Gjeneratat e reja nuk e dinë se si jemi shkolluar e torturuar, por sot shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i kanë tre universitete”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore