Ahmeti: Nuk do të lejojmë tubime elektorale në shkolla

SHFLETO

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

 

Altina Marmullaku
28.09.2021 18:51
Loading Icons...

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se drejtorët e shkollave kanë pasur presion nga shtabet zgjedhore të parive politike, që të lejohen për të mbajtur tubime brenda objekteve shkollore, por një gjë e tillë nuk është lejuar dhe nuk do të lejohet.

“Drejtorët e shkollave dhe drejtoria e Arsimit kanë lajmëruar që kanë presion nga shtabet për me i leju tubimet me qytetarë brenda në shkolla për shkak të shiut. Përgjigja është JO!  Zgjedhjet po mbahen në kushte të jashtëzakonshme.  Sipas udhëzimeve çfarëdo grumbullimi i qytetarëve në hapësira të mbyllura duhet të kufizohet”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë tubimet në vende të hapura lejohen vetëm me masat e marra nga Qeveria.

“Nuk kemi kapacitete të zbatojmë strategji të lejimeve me vaksinim apo PCR. Por edhe më me rëndësi mësimi i fëmijëve po zhvillohet në ato hapësira gjatë ditës.  Nuk duhet të rrezikojmë qoftë edhe një rast.  Meqenëse nuk jemi në garë, besoj se hasim në mirëkuptim të partive që ky vendim strikt po zbatohet duke konsideruar vetëm shëndetin e qytetarëve”.

Tubimet në shkolla gjatë fushatës zgjedhore në vitet e kaluara.

Ai shtoi se “Edhe më tutje tubimet në vende të hapura lejohen vetëm me masat e marra nga Qeveria.  Sikurse edhe në zgjedhjet nacionale nuk do të hezitojmë në shqiptimin e dënimeve”.

Edhe, Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës janë shprehur të shqetësuar pasi thonë se partitë politike kanë kërkuar të mbajnë tubime elektorale në brendësi të shkollave.

Në reagimin e tyre thuhet se jo vetëm që kërkesa është e papranueshme, por edhe e rrezikshme.

“Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë shpreh shqetësimin e madh me informacionin se partitë politike janë duke kërkuar që në hapësirat e brendshme të shkollave në Komunën e Prishtinës të zhvillojnë takime elektorale”, thuhet në reagim e Këshillit të Prindërve.

Po ashtu, tutje thuhet se kërkesa është edhe e turpshme.

“Ne jo vetëm që e vlerësojmë se kjo kërkesë është e papranueshme, por edhe rrezikshme (e besa edhe e turpshme), nga kushdo që e bën në këtë situatë që jemi, kur mezi i kemi hapur shkollat. Çdo aktivitet i tillë në shkolla i rrezikon fëmijët, stafin e shkollave por dhe krejt procesin mësimor”.

Këshilli i Prindërve ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të shkollave dhe Drejtorisë komunale të Arsimit, të refuzojnë kërkesa të tilla.

“Andaj ju bëjmë thirrje të gjithë prindërve, anëtarë të Këshillave Drejtues të shkollave, drejtorëve të shkollave dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit që kërkesat e tilla të refuzohen plotësisht dhe të na i raportojnë partitë politike e individët që i bëjnë kërkesat e këtilla. Shkollat janë të nxënësve, fushatat mbajini jashtë”.

Zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti, kanë një periudhë prej 30 ditësh për fushatën zgjedhore të subjekteve politike.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.