Kosova

Ahmeti: Jemi fitues me mbi 30 mijë vota, qytetarët janë për anëtarësim në BE


Ali Ahmeti

Lideri i “Frontit Evropian”, Ali Ahmeti, ka thënë se koalicioni që ai e udhëheqë prinë me mbi 30 mijë vota ndaj koalicionit “VLEN” në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut, derisa ka theksuar se kanë fituar 19 mandate deputetësh.

“Dallimi është mbi 30 mijë vota ndaj VLEN-it. Do të thotë se qytetarët: shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit janë për anëtarësim të pakompromis të vendit në Bashkimin Evropian, si alternativë e vetme, jo vetëm për qytetarët dhe votuesit e Frontit, po për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha Ahmeti në një konferencë për media.

“Ne, si Front, nga ky cikël dalim me 19 mandate”, shtoi.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim potencoi se legjitimitetin për t’i përfaqësuar “na kanë dhënë qytetarët”.

“Shumica e shqiptarëve dhe e komuniteteve të vogla si turqit, boshnjakët dhe romët, të cilët i falënderojmë dhe është hapi i parë drejt stazeve të gjata të misionit të Frontit për Evropë deri në anëtarësim të plotë të vendit në Bashkimin Evropian”, deklaroi.

Ndryshe, me mbi 75 për qind të votave të numëruara, “Fronti Evropian” është duke prirë bindshëm në taborin shqiptar me 20 mijë vota në raport me koalicion e partive opozitare shqiptare “VLEN”, në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut që u mbajtën këtë të mërkurë.

Me 76,76 për qind të votave të numëruara, “Fronti Evropian”, ka 108 mijë e 114 vota, apo 14,45 për qind, ndërsa koalicioni “VLEN” ka marrë 86 mijë e 375 vota, apo 11,78 për qind të votës totale.

Nga ana tjetër, në kampin maqedonas është duke prirë bindshëm partia opozitare nacionaliste VMRO-DPMNE, në raport me partinë që kishte pushtetin deri më tani, LSDM-në.

Me këto vota të numëruara, VMRO ka marrë plotë 310 mijë e 231 vota, apo 42,33 për qind. Ndërsa, LSDM-ja ka marrë rezultatin më të dobët në histori të saj duke u renditur e treta. Ka marrë vetëm 105 mijë e 780 vota, apo 14,43 për qind.

Përveç zgjedhjeve parlamentare, në Maqedoni të Veriut të mërkurën është mbajtur edhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Me 79,16 për qind të votave të numëruara, fituese e këtyre zgjedhjeve është kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, ndaj presidentit aktual Stevo Pendarovksi, që ka mbështetjen e LSDM-së.

Me këto vota të numëruara Siljanovska Davkova ka fituar 421 mijë e 673 vota, apo 64,83 për qind, ndërsa Pendarovksi ka grumbulluar vetëm 190 mijë e 369 vota, apo 29,27 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore