Lajme

Ahmeti: Heroizmi i Jasharajve i tregoi botës atdhedashurinë dhe shenjtërinë e lirisë


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në 26 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka thënë se Familja Jashari me heroizmin e saj i tregoi botës atdhedashurinë.

Këto komente, ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni të Veriut i bëri përmes një postimi në Facebook, ku çmoi lartë heroizmin dhe sakrificën e Familjes Jashari.

“26 vite më parë Jasharajt me heroizmin dhe qëndresën e tyre do t’i dëshmonin botës mbarë atdhedashurinë dhe shenjtërinë e lirisë, duke ujitur me gjakun e tyre të pastër përjetësinë e Kosovës sonë”, shkroi Ahmeti.

“Ajo vendosmëri e tyre heroike përballë barbarisë u bë kushtrim lirie, ata ranë heroikisht i madh e i vogël për të përcjellur mesazhin e fuqishëm të mosdorëzimit duke na e lënë amanet çlirimin dhe ruajtjen e dinjitetit të tokës ku u lindën dhe u rritën”, shtoi.

Në kujtimin e tyre, theksoi Ahmeti, “gjejmë forcën dhe frymëzimin për të vazhduar kauzat kombëtare të përparimit!”.

“Lavdi e përjetshme Jasharajve, të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”, përfundoi kreu i BDI-së.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Ndërsa, për nder të 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne, e cila ka nisur nën tingujt e këngëtarit Ilir Shaqiri, me këngën “Sërish Vjen Marsi”, dhe këngëtares Shkurte Fejza, “Mora Fjalë”.

Kjo seancë ka nisur edhe me intonimin e himneve shtetërore [Kosovës] e kombëtare [shqiptar] dhe një minutë heshtje për të gjitha viktimat e luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore