Kosova

Ahmeti bisedon me homologen e tij ukrainase: Kosova përkrahë pavarësinë e Ukrainës


Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti në bisedë telefonike me homologen e tij ukrainase, Emine Dzhaparova.

Të hënën e 14 marsit, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar një telefonatë me homologen e tij ukrainase, Emine Dzhaparova.

Përmes një bisede, Ahmeti ka njoftuar Dzhaparova për rreshtimin e Kosovës në përkrahje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ai përmendi sanksionet të cilat Kosova tashmë i ka vendosur dhe gatishmërinë për t’i shtuar ato në koordinim me ShBA-të, BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtare”.

Ndërkaq, gjatë bisedës është përmendur edhe ndihma që Kosova ka ofruar ndaj 20 gazetarëve.

“Gjithashtu, ai përmendi edhe ndihmën që Republika e Kosovës po e ofron në këtë situatë duke strehuar 20 gazetarë, duke larguar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas dhe duke treguar gatishmëri për strehimin e 5000 refugjatëve”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Tutje thuhet se Dzhaparova, falënderoi Republikën e Kosovës për mbështetjen dhe për rreshtimin e menjëhershëm në anën e Ukrainës.

“Nga Ukraina, ajo e njoftoi Ahmetin për situatën e rëndë humanitare të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse dhe për rezistencën e fortë që po e bëjnë ukrainasit”.

“Kriza humanitare e shkaktuar nga Federata Ruse, veçanërisht në qytete si Mariupol ku qytetarët po mbahen peng nga rrethimi rus, po thellohet çdo ditë e më shumë”, thuhet në njoftim.

Zëvendësministri Ahmeti, përcjelli ngushëllimet e sinqerta të Qeverisë së Republikës së Kosovës për viktimat e agresionit rus dhe të dy u pajtuan që t’i vazhdojnë komunikimet e rregullta për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore