Shqipëria

Ahmetaj: Paketa sociale dhe digjitalizimi, kryefjala e Buxhetit 2022


Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në seancën plenare të 25 nëntorit, ka deklaruar se kryefjala e Buxhetit 2022 është paketa sociale për familjet në nevojë.

Sipas tij, ndihma ekonomike do të dyfishohet për 15 mijë familje.

Po ashtu, elementët socialë dhe infrastrukturorë janë pika kyçe në projektbuxhetin që pritet të miratohet këtë të enjte.

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën plenare, ku do të shqyrtohet, si dhe pritet të miratohet, projektbuxheti i vitit 2022 dhe Paketa Fiskale.

Një javë më parë është miratuar në parim, me 76 vota pro, projektligji për Buxhetin e vitit 2022.

Ky projektligj mori 52 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe mbështetja e atyre në nevojë.

Këto janë dy objektivat kryesore mbi buxhetin e vitit 2022, sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Borxhi publik, sipas saj, do të ulet në vlerën e 78.6%. Ndërsa, papunësia do të kthehet në njëshifrore brenda dy vjetëve.

Po ashtu, në vëmendje do të jetë dhe digjitalizimi.

Rritja ekonomike për dy vitet e ardhshme pritet të jetë në mbi 4% për secilin vit. Ndërsa për vitin 2021, rritja ka qenë në 7.6%.

Kjo ringritje nga pandemia, sipas Ibrahimajt, i ka lejuar Qeverisë t’i mbështesë qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke lehtësuar jetesën e tyre.

Buxheti 2022

Qeveria ka parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliardë lekë dhe të ardhurat priten të shkojnë në 536 miliardë lekë.

Në këtë mënyrë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar që deficiti të arrijë në 101 miliardë lekë.

“Shpenzimet e personelit për vitin 2022 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu aty theksohet, se fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësorë dhe ata arsimorë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke u rritur krahasuar me një vit më parë.

Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.

Niveli i fondit rezervë për vitin 2022, planifikohet në masën 3.4 miliardë lekë, përkatësisht 2.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 500 milionë lekë fond kontigjence për projektet me BE-në si dhe 500 milionë lekë kontingjencë për projekte specifike për fëmijët.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore