Sport

Agjenti i Gundogan: Ai mendon vetëm për City-n, nuk ka marrëveshje me asnjë klub


“Ilkay Gundogan ka arritur marrëveshje dhe nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e Barcelonës” – ishin titujt e mediave të mëdha botërore.

Megjithatë, kjo është mohuar nga agjenti i tij, i cili së fundmi ka thënë se Gundogan nuk ka marrëveshje me asnjë klub, por fokusi i tij është te Manchester City.

“Padyshim që ende nuk ka marrëveshje me asnjë klub. Fokusi i Ilkay në javët e fundit ishte vetëm te City, fundi i sezonit dhe lindja e djalit të tij”, tha ai për The Guardian.

Manchester City në anën tjetër, është ende duke pritur që Gundogan të vendosë për të ardhmen e tij – duke marrë kohë pasi kontrata e re ndoshta do të nënkuptonte përfundimin e karrierës së tij atje.

Kjo pasi që turkut me pasaportë gjermane i skadon kontrata me “Qytetarët” në fund të këtij sezoni.

Në anën tjetër, Barcelona kërkon që ta transferojë me parametra zero mesfushorin 32-vjeçar, por flitet se është edhe një klub tjetër që ka interesim të madh për futbollistin, që mediat thonë të jetë Paris Saint-Germain.

Kujtojmë që Gundogan është pjesë e Manchester City-t që nga vera e vitit 2016, kur u trasnferua nga Borussia Dortmund për shumën e 27 milionë eurove.

Deri më tani ai ka luajtur në 290 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e City-t, prej të cilave ka shnuar 53 gola dhe ka dhuruar 37 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore