Agalliu kërkon interpelancë me Kaçiun, për rastin e Onkologjikut

SHFLETO
Vitjon Nina
26.06.2024 11:06
Loading Icons...

Deputeti demokrat, Arbi Agalliu, ka kërkuar një interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Punës Sociale, Albana Koçiu, sa i takon rastit të spitalit Onkologjik, ku disa mjekë janë nën hetim, të cilët me qëllim përfitimi, kishin ngritur një skemë abuzive transferimi të të sëmurëve me kancer drejt spitaleve private.

Në një postim në Facebook, Agalliu thotë se është domosdoshmëri dhe jetike të bëhet menjëherë transparencë dhe të kuptohen arsyet se pse nuk funksionon sistemi i mbrojtjes së pacientëve.

“Është domosdoshmëri dhe jetike të bëhet menjëherë transparencë përpara qytetarëve shqiptar. Duhet të qartësohen arsyet pse nuk ka funksionuar sistemi i mbrojtjes së pacientëve dhe pse kjo skemë korruptive ka kaq kohë që funksionon. Në fakt kjo është shëndetësia falas dhe nuk mund të jetë ndryshe kur vendi është i mbuluar nga korrupsioni”, shkruan Agalliu, duke bashkëngjitur edhe kërkesën e bërë në Kuvend.

Nga ana tjetër, një ditë më parë, Koçiu është distancuar nga ngjarja, duke e quajtur të “paprecedente”.

“Ngjarje e paprecedente. Jam e neveritur. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, procedurave administrative dhe të jetë e qartë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha. Nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm dhe nuk kanë vend në sistemin shëndetësor publik”, tha Koçiu.

Skandali te Onkologjiku, Koçiu: Ngjarje e paprecedentë, personat e përfshirë do të dënohen sipas ligjit