Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

SHFLETO

Afrim Gashi

 

Armat Matoshi
28.05.2024 15:56
Loading Icons...

Afrim Gashi, një nga liderët e koalicionit VLEN që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare, u zgjodh të martën kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ai u zgjodh në këtë pozitë të rëndësishme në seancën konstituive të 28 majit me 76 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim.

Gashi erdhi në krye të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas propozimit të VLEN-it që në zgjedhjet e 8 majit fitoi 14 ulëse në legjislaturën e njëmbëdhjetë maqedonase, ndërsa mori mbështetjen edhe të VMRO-DPMNE-së, partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Deputetët e Frontit Evropian që drejtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk morën pjesë as në aktin e votimit e as një debatin që zgjati pothuajse katër orë. Liderët e Frontit Evropian vlerësojnë se shumica e re parlamentare mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it nuk pasqyron realitetin etnik, duke qenë se ky koalicion fitoi votën e shumicës së shqiptarëve.

Gashi është një ndër themeluesit e Lëvizjes Besa. Ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për herë të parë në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2016. Megjithatë, pas përplasjeve që ndodhën në këtë parti politike, ai formoi partinë Alternativa në mars të vitit 2019.

Pas konstituimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, në afat prej dhjetë ditëve, presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova, pritet të dekretojë kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, mandatar për formimin e qeverisë së re maqedonase.