Kultura

Afresket 2 mijë vjeçare janë zbuluar në banjat e lashta romake


Afresket nga koha e Hadrianit të zbuluara në banjot e lashta romake

Për herë të parë, afresket që datojnë pothuajse 2 mijë vjet më parë, që nga koha e perandorit Hadrian, do të ekspozohen për publikun e gjerë, kur ata të vizitojnë Banjat e lashta të Romës të quajtura ‘Caracalla’.

“Për herë të parë, vizitorët do të jenë në gjendje të admirojnë pjesë nga afresket e tavanit të një dhome të dytë të domusit (shtëpisë) që u shemb”, ka thënë Luca del Fra, një zëdhënës i Agjencisë së Ministrisë Italiane të Kulturës që monitoron trashëgimin arkeologjike të Romës së lashtë, për të përditshmen “CNN”.

Banjat Caracalla

“Ky ishte tavani i triklinit – dhoma e ngrënies së romakëve të lashtë – dhe arkeologët kanë restauruar një pjesë që tregon perandorin Dionis në një sfond të kuq”, tha del Fra.

Dionisi, perëndia i verës, i njohur gjithashtu si Bacchus, i paraqitur në një sfond të kuq.
Afresket më të vjetra se banjat termale

Afresket të cilat janë më të vjetra se vetë banjat ‘Caracalla’, dikur përdoreshin për të dekoruar shtëpinë, e cila  ishte pjesë e një lagjeje të shkatërruar për të akomoduar banjat të cilat u inauguruan në vitin 216 pas Krishtit dhe u emëruan sipas Marco Aurelio Antonio Bassiano, i njohur si Caracalla – djali i perandorit Septimus Severus.

Banjat ndiqnin parimet e “banjave të mëdha perandorake”. Kështu, ata kishin një bllok qendror të destinuar vetëm për banja termale, në të cilin kaldarium, tepidarium, frigidarium dhe natatio ndiqnin njëri-tjetrin: këto janë pishina që ndryshojnë në temperaturën dhe qëllimin e ujit. Pishina natatio, e cila nuk kishte çati, ishte aq e madhe sa pishinat e sotme olimpike.

Përveç notit, kompleksi ofronte edhe mundësi për shëtitje, lexim dhe mësim, stërvitje dhe kujdes për trupin. Pjesë e kompleksit ishte edhe një bibliotekë publike, me dhoma për tekste greke dhe latine.

Hyjnitë nga bota greko-romake dhe egjiptiane

Afresket janë të periudhave të ndryshme kohore. Fotot e mëposhtme tregojnë afreske që janë bërë 50 vjet larg njëri-tjetrës. E para, tipike e epokës së Hadrianit, përshkruan një perspektivë arkitekturore të populluara nga figura njerëzore, statuja dhe mace të egra.

Detajet e një figure njerëzore.

E dyta është me origjinë të mëvonshme, në të shfaqen figura hyjnore nga panteoni greko-romak dhe egjiptian, dhe afresket tregojnë se ato ishin në pronësi të një familjeje të pasur, shkruan “CNN”.

“Është e habitshme që ka dy panteone ose grupe perëndish të veçanta në afreske: njëri nga tradita greko-romake (Jupiteri, Juno dhe Minerva), tjetri nga tradita egjiptiane (Anubis, Isis dhe ndoshta Serapis)”, tha mes tjerash del Fra.

Anubis, perëndia egjiptiane e vdekjes dhe e jetës së përtejme

“Kjo mund të nënkuptojë se familja që zotëronte këtë banesë kishte marrëdhënie të ngushta me Egjiptin”, shtoi ai.

Tradita greko-romake përfaqësohet nga perëndia e qiellit Jupiter, gruaja e tij Juno dhe perëndesha e mençurisë Minerva. Në anën egjiptiane, megjithatë, janë perëndia e vdekjes dhe e jetës së përtejme, Anubis, perëndeshë e pjellorisë dhe mëmësisë Isis, dhe ka shumë të ngjarë hyjnia greko-egjiptiane e diellit e përdorur për të bashkuar grekët dhe egjiptianët në Egjipt, Serapis.

Drejtoresha e Banjave Caracalla, Mirella Serlorenzi, tha se prania e perëndive nga dy tradita të ndryshme në të njëjtën vepër arti është karakteristikë e “sinkretizmit fetar, karakteristik për Romën e lashtë, që nga themelimi i saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore