Lajme

Afganistan/ 2 shpërthime bombe, 3 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur


Dy shpërthime bombe të njëpasnjëshme në Afganistan vranë të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë dhe plagosën 20 të tjerë. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarët afganë.

Zëdhënësi i policisë së Kabulit, Ferdaws Faramarz, tha se një bombë buzë rrugës, e cila kishte në shënjestër një makinë policie vrau shoferin dhe një fëmijë aty afër.

Pesë civilë të tjerë duke përfshirë edhe disa fëmijë u plagosën.

Shpërthimi i dytë u shkaktua nga një bombë e vendosur në një treg të mbushur me njerëz në provincën jugore Helmand. Bomba e dytë vrau një civil dhe plagosi 15 të tjerë, përfshirë dy policë, tha zëdhënësi i policisë provinciale, Mohammad Zaman Hamdard.

Asnjë grup nuk mori përgjegjësinë për sulmet.

Zyrtarët e policisë afgane thanë se është duke u zhvilluar një hetim.

Shpërthime bombash dhe atentate kanë ndodhur pothuajse për ditë në kryeqytetin, Kabul, në muajt e fundit. Në shënjestër kanë qenë forcat afgane të sigurisë, punonjës të qeverisë civile, gazetarë, studiues fetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Shumë prej sulmeve kanë përdorur pajisje shpërthyese që vihen në automjete dhe shpërthehen nga telekomanda ose kohëmatësi.

Të shtunën, të paktën pesë njerëz u vranë pasi tre shpërthime tronditën pjesë të ndryshme të qytetit.

Filiali lokal i grupit terrorist të Shtetit Islamik (IS) ka marrë përgjegjësinë për disa nga sulmet, por shumë prej tyre janë akoma të padeklaruara. Për këto qeveria fajëson Talebanët.

Këta të fundit e kanë mohuar përgjegjësinë për shumicën e sulmeve.

Marrëveshja e Dohs-s

Në marrëveshjen e Doha-s të nënshkruar në shkurt 2020, Talebanët u angazhuan për bisedime paqësore me qeverinë afgane dhe shprehën vullnetin për të zvogëluar ndjeshëm dhunën. Si pjesë e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara u zotuan të tërheqin të gjitha trupat ndërkombëtare deri në prill të këtij viti.

Sidoqoftë, konflikti i dhunshëm ka vazhduar në Afganistan, duke e bërë të vështirë zbatimin e marrëveshjes. Administrata e re e SHBA-së nën Presidentin Joe Biden po rishikon planin e tërheqjes.

Tani janë afro 2,500 trupa amerikane dhe 10,000 ushtarë të NATO-s në Afganistan.

 

Albanianpost.com


Lajmet kryesore