Kosova

Afër 800 pacientë janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës


Rreth 770 pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar në spitalet e përgjithshme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Sipas raportit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, 630 raste janë të konfirmuara me Sars-COV-2, 33 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 608 janë nën asistim të oksigjeno-terapisë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Sipas këtij raporti, në QKUK janë të shtrirë 321 pacientë, ku 250 raste janë të konfirmuara me COVID-19, 13 persona janë në gjendje të rënduar dhe 267 me oksigjeno-terapi.

Bazuar në statistikat e SHSKUK-së, klinika më e frekuentuar me pacientë të infektuar me Coronavirus është klinika infektive, me gjithsejtë 112 pacientë, kurse në radhë të dytë renditet klinika e Pulmologjisë me gjithsejtë 82 pacientë të infektuar.

“Numri i pacientëve të shtirë, sipas klinikave: klinika infektive, 112 pacientë, klinika infektive II (mjekësia sportive), 68 pacientë, klinika infektive III (interno),  28 pacientë, klinika e pulmologjisë, 82 pacientë, klinika e gjinekologjisë, dy paciente, mjekimi intensiv-COVID-19, 17 pacientë + 4 në intensiven e Klinikës Infektive dhe klinika e pediatrisë me 12 pacientë”, njofton SHSKUK.

Ndërkaq në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 449 pacientë, ku 380 raste janë të konfirmuara pozitivë, 20 raste janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 341 raste me oksigjeno-terapi.

Ndërkohë spitali i komunës së Pejës është spitali më i ngarkuar me pacientë të infektuar me COVID-19, ku gjithsejtë 101 pacientë të shtrirë, duke lënë pas spitalin e Gjilanit me 81 persona të shtrirë.

“Numri i pacientëve të shtrirë, sipas spitaleve të përgjithshme, spitali i Prizrenit me gjithsejtë 61 pacientë, spitali i Gjakovës me 78 pacientë, spitali i Pejës me 101 pacientë, spitali i Gjilanit me 81 pacientë, spitali i Ferizajt me 64 pacientë, spitali i Mitrovicës me 47 pacientë dhe spitali i Vushtrrisë me 17 pacientë”.

Ndërkaq një ditë më parë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë më ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kishin vizituar klinikën e pediatrisë në QKUK me rastin e fillimit të misionit të shoqatës ndërkombëtare “Gift of Life” për trajtimin karidokirurgjik të fëmijëve kosovar.

Osmani ka shprehur falënderimin për kontributin e tyre të vazhdueshëm, gjersa e vlerësoi lart ardhjen në këtë kohë të vështirë.

“Faleminderit për gjithçka që keni bërë, sepse, tash, gjatë pandemisë, nuk është e lehtë. Ju po rrezikoni jetët tuaja dhe të familjarëve tuaj nga ndonjë infeksion i mundshëm. Por, kjo kurrë nuk do të harrohet. Do të jemi përjetësisht falënderues”, ka thënë ajo.

Kurse Vitia ka çmuar punën e kësaj organizate që për vite me radhë ka realizuar misione të tilla.

“Jam këtu për të shprehur mirënjohjen, por gjithashtu për t’ju treguar juve që ne jemi këtu për ta bërë gjithçka të mundur. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar juve. Faleminderit dhe shpresojmë për projekte të ardhshme, shpresojmë për më shumë jetë të shpëtuara”, theksoi Vitia.

Organizata “Gift of Life” vitin e kaluar kishte planifikuar rreth 90 operime në Kosovë, por i anuloi ato për shkak të situatës me Pandeminë COVID-19.

Po ashtu edhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi duke njoftuar rreth angazhimit për organizimin e këtij misioni, kishte sqaruar se një ekip i përbërë nga 17 ekspertë kardiokirurgë amerikanë dhe italianë, të asistuar nga mjekët vendorë, do të kryejnë intervenime në 30 fëmijë me probleme në zemër në QKUK.

I pranishëm në këtë vizitë ishte edhe drejtori i “Gift of Life”, Rob Raylman, i cili theksoi rëndësinë e misionit që udhëheq, por edhe rolit në shpëtimin e fëmijëve me probleme në zemër.

Tutje në njoftim thuhet se ky ekip mjekësor i cili do të qëndrojë në Kosovë deri në fundjavë, përbëhet nga kardiokirurgët, Françesko Santoro dhe Ribiera Santoro, nga kardiologët, Herbet Stern dhe Roberto Tumbarello.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore