Lajme

Adresimi i presidentes Osmani për Vitin e Ri: Vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin e saj drejtuar qytetarëve për Vitin e Ri, ka thënë se vrasjet monstruoze të grave që karakterizuan vitin 2022 në Kosovë, duhet të trajtohen si emergjencë kombëtare.

“Dua të kujtoj gratë e vajzat që u bënë viktimë e femicidit, fenomenit të tmerrshëm që duhet ta luftojmë të gjithë së bashku”.

“Keqtrajtimi i grave në shoqërinë tonë e mbarë botën po shndërrohet në epidemi. Prandaj duhet ta trajtojmë si emergjencë kombëtare”, shtoi Osmani.

Shefja e shtetit tha se në këtë përpjekje nevojitet angazhimi i politikanëve, institucioneve të drejtësisë, sigurisë, punëtorëve socialë, aktivistëve të shoqërisë civile e mediave.

“Duhet të shndërrohet në kauzën tonë të përbashkët. Lufta për barazi gjinore duhet të jetë lufta jonë e çdoditshme”, potencoi ajo.

Gjithashtu, Osmani ndër të tjera vlerësoi se Kosova ka shënuar arritje të shumta, por sipas saj duhet të punohet gjithmonë e më shumë për suksese të tjera.

“Ne kemi dëshmuar se jemi një popull shpresëplotë e i përkushtuar gjithnjë për ditë më të mira”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore