Kosova

Admirali Amerikan në Kosovë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon


Stuart B. Munsch dhe Ozkan Ulutas

Shefi i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Stuart B. Munsch, po realizon një vizitë zyrtare në Kosovë për të treguar përkushtimin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Kështu të paktën thuhet në njoftimin për media e publikuar në faqen zyrtare të Komandës së Napolit në platformën sociale, X, menjëherë pas takimit që Admirali Amerikan pati të martën me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas.

“Admirali Stuart B. Munsch vizitoi Prishtinën, ku u takua me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas. Diskutimet u fokusuan në përkushtimin e KFOR-it për stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq në njoftimin e lëshuar nga KFOR-i pas takimit me Munsch, theksohej se në fokus të diskutimeve ka qenë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Gjeneralmajori Ulutash ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhek në njoftimin e KFOR-it rreth takimit midis dy ushtarakëve në Camp Film City në Prishtinë.

Ndryshe, vizita e admiralit amerikan të aleancës vjen pas asaj të Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, në kohën kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe iniciativën për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Admirali Munsch vizitë në Kosovë, takon komandantin e KFOR-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore