Shqipëria

“Abetarja e Përbashkët” do të promovohet më 1 shtator në Kosovë


Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi zbuloi se “Abetarja e re e Përbashkët Unike” do të promovohet më 1 shtator në Kosovë.

Teksti i ri do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

Lajmi u bë i ditur nga zyrtarja shqiptare, duke cituar postimin në median sociale “Facebook”.

“Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit”, shkruan fillimisht Kushi.

Ministrja shtoi se të hënën e 29 gushtit do të nisin dhe trajnimet e mësuesve të klasave të para.

“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor”, vijon Kushi.

Sipas saj, abetarja tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo nxënësi.

Në Kosovë abetarja e njësuar me Shqipërinë ka nisur të shpërndahet në shkolla.

Marrëveshja për Abetaren e unifikuar – për nxënësit nga jugu në veri, te të dyja vendet – u arrit në nëntor të vitit 2021, gjatë takimit të përbashkët të dy qeverive.

Pas konkursit, Shtëpia botuese “Dukagjini” nga Kosova dhe “Pegi” nga Shqipëria u shpallën fituese për botimin e abetares së përbashkët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore