Kosova

Abdixhiku: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur detyrim moral ndaj qytetarëve të Kosovës


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se 1 mijë e 617 persona të cilët vazhdojnë të mbeten të zhdukur gati një çerek shekulli pas përfundimit të luftës përfaqësojnë plagën më të thellë dhe më të dhimbshme të shoqërisë, një plagë e cila kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të fatit të tyre.

Kështu është bërë me dije nga Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook, ku kanë treguar mesazhin e Abdixhikut në ditën ndërkombëtare e personave të zhdukurve me dhunë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj kauzës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve si dhe qëndron krah për krah me familjarët e tyre në mbështetjen e kërkesës për të vërtetën dhe drejtësinë”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së ka theksuar se nuk ka asnjë dyshim se përgjegjësi i krimit e di se ku janë viktimat, prandaj ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet ta mbajë lartë në agjendën e tyre presionin ndaj shtetit serb në mënyrë që të gjithë ata të zhdukur të gjenden.

Ai ka potencuar se partia që drejton ka bërë thirrje që “procesi i zbardhjes së këtyre rasteve të intensifikohet, duke mos lejuar që harresa të zbehë të drejtën për të vërtetën”.

Zbardhja e fatit të tyre, potencoi lideri i opozitës, “mbetet prioritet i tyre i pandryshuar dhe detyrim moral ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Ditën ndërkombëtare për përkujtimin e viktimave të zhdukur me dhunë e ka përkujtuar edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm.

Mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, e para vendit theksoi se ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës.

“Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë”, shtoi.

Duke e mohuar të vërtetën, presidentja potencoi se Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin.

“Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura”.

E vërteta, pohoi Osmani, nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE.

“E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, potencoi ajo ndër të tjera.

Më shumë se dy dekada pas luftës, mbi 1 mijë e 600 persona janë ende të pagjetur – shumica shqiptarë.

Familjarët ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Ndërsa, është arritur edhe një Marrëveshje për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë më 4 prill 2023.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore