Kosova

Osmani: Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm.

Këto komente, Osmani i ka bërë përmes një postimi në Facebook, në ditën ndërkombëtare për përkujtimin e viktimave të zhdukur me dhunë.

Mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, e para vendit theksoi se ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës.

“Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë”, shtoi.

Duke e mohuar të vërtetën, presidentja potencoi se Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin.

“Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura”.

E vërteta, pohoi Osmani, nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE.

“E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, potencoi ajo ndër të tjera.

Më shumë se dy dekada pas luftës, mbi 1 mijë e 600 persona janë ende të pagjetur – shumica shqiptarë.

Familjarët ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Ndërsa, është arritur edhe një Marrëveshje për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë më 4 prill 2023.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore