Kosova

Abdixhiku thotë se kosovarët u harruan nga “çmenduria politike” e LVV-së


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nëpërmjet në postimi në “Facebook” të enjten, akuzoi ekzekutivin kosovar nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) se për shkak të populizmit të tepruar dhe çmendurisë politike harroi qytetarët e Kosovës.

“Tani, nga këtu, dalim në terren. Aty do të flasim me qytetarët tanë. Ata, të harruarit e lënët pas nga popullizmi e çmenduria politike që ka kapluar vendin tonë tash e sa kohë. Ata kanë nevojë për zërin tonë; dhe ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre”, shkroi kreu i LDK-së të enjten.

Derisa njoftoi për takimin e zhvilluar me strukturat udhëheqëse të partisë mbi zgjerimin e aktiviteteve në terren përgjatë vitit, ai u shpreh i bindur se LDK-ja do ketë sukses në të ardhmen, duke thënë se koha e LDK-së “po vjen”.

“Përbashkimi ynë, rritja jonë, punët e mbara që i bëjmë, na i vënë kundërshtarët përballë. Aty bëhen të gjithë bashkë kundër nesh; sikurse tash, sikurse bëheshin gjithherë. Por koha jonë po vjen”, shkroi Abdixhiku, duke ndarë pamje nga një takim me strukturat në komunën e Prishtinës.

Ndryshe, partitë politike në vend kanë filluar të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës, ndërkohë që mundësinë për proces të ri zgjedhor s’e kanë përjashtuar as anëtarë të partisë në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore