Abdixhiku takon Guerot: Kosova ka nevojë edhe më tutje për mbështetjen e Francës

SHFLETO

Lumir Abdixhiku dhe Olivier Guerot

 

Armat Matoshi
20.06.2024 21:50
Loading Icons...

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, priti të enjten në takim ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, nga i cili kërkoi që Franca të vazhdojë përkrahjen e pandërprerë ndaj Kosovës, posaçërisht në proceset politike të cilat e presin vendin e vogël ballkanik.

“Kryetari Abdixhiku vlerësoi përkrahjen e pandërprerë që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, në të gjitha proceset e saj dhe theksoi se Kosova, ka nevojë edhe më tutje për mbështetjen e Francës dhe miqve të saj, në proceset të cilat e presin përpara”, njoftoi LDK-ja nëpërmjet një komunikate për shtyp.

Në këtë takim, i cili u zhvillua në selinë qendrore të LDK-së në Prishtinë, kryetari i partisë më të vjetër parlamentare në vend dhe ambasadori Guerot kanë diskutuar edhe rreth situatës aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë, por edhe rreth qëndrimeve të këtij subjekti lidhur me këto çështje.

Ndryshe, qeveria franceze luan një ndër rolet kryesore në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE). Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kërkon nga Kosova themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.