Kosova

Abdixhiku, Qeverisë: Politika juaj favorizon kundërshtarët tanë e rrezikon shtetësinë tonë


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se politikat e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti favorizojnë kundërshtarët historikë të Kosovës dhe rrezikojnë shtetësinë e vendit.

Këto komente, Abdixhiku i ka bërë në seancën parlamentare të së enjtes, ku ka kritikuar Qeverinë Kurti, posaçërisht në raportet që e ka sjellë me ndërkombëtarët, derisa ka bërë një analogji të gjendjes se si ka qenë Kosova vite me parë dhe si është tani në arenën ndërkombëtare.

“Një politikë e tillë disfatiste e njohim shumë qartë, e kemi mundur 25 vite më parë. Ne njerëzit e lirë të Kosovës. Veç se ne ishim vet e u bëmë me aleatë… Ne ishim të suksesshëm në rrugën e vështirë të njohjeve e anëtarësimeve e kundërshtarët tanë i lanë në sanksione, të mbyllur e pa mbështetje euroatlantike”, tha fillimisht Abdixhiku në seancën parlamentare të së enjtes.

Por, aktualisht, kreu i LDK-së shtoi se duket se koha “ka rrotulluar tavolinat”, dhe për këtë fajësoi drejtpërdrejtë Qeverinë e Kurtit.

“Kështu ndodh kur në momente historike udhëhiqesh nga politika të papërgjegjshme, populiste, e në kriza përplot mllef e urrejtje ndaj gjithsecilit”, shtoi.

Në këtë rrotullim tavolinash, ai theksoi se “shtetësia jonë u godit gjatë kësaj vere nga vendimi i BE-së i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës”.

“Ta kuptojmë këtë gjendje fatale për republikën: BE njeh autoritetin shtetar serb mbi shtetin e pavarura të Kosovës, 17 vite pas pavarësisë, 25 vite pas lirisë”, potencoi Abdixhiku, derisa pyeti “se si mund të mburremi ne me një përfundim të tillë?”.

“Kjo politikë nuk shpie askund përveç në favorizimin e kundërshtarëve tonë historik e rrezikimin e shtetësisë sonë ende të pakonsoliduar mirë”.

Lideri i opozitës foli edhe për hapjen e urës mbi lumin Ibër, duke iu përgjigjur kritikave që i ka bërë pushteti ndaj opozitës në lidhje me këtë çështje.

“Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishim për, në fund disi ngritët pyetja a je për apo kundër, këndej a andej urës: Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n”, potencoi.

Abdixhiku ishte i qartë në qëndrimin e tij dhe të partisë që drejton në lidhje me hapjen e urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, por edhe për marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Për ta thënë shkurt, shqip, qartë – ka një vijë që se kalojmë dot: NATO dhe Kosova janë bashkë, asnjëherë përballë”.

Ky, konsideroi ai, është orientimi popullor i Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe “ju garantojë se në asnjë dëshirë sado e errët e ekstremiste që është, nuk mund dhe as nuk do ta testojë e aq më pak ta ndryshojë këtë orientim pro-perëndimor të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore